Shpirti luftarak dhe golat që i shënon e bëjnë Oso Gjinovcin të papërshtatshëm për kundërshtarët e tij në ndeshjet e futsallit. Por, Gjinovci 28-vjeçar, ka edhe diçka tjetër që e bën të veçantë në parket.
Gjatë ndeshjeve edhe stërvitjeve, Gjinovci u flet bashkëlojtarëve të tij, falë përvojës që ka. Në raste, si lider që është edhe e ngrit zërin më shumë se që duhet, shkruan sot Koha Ditore.
Të folurit, gjithnjë për të mirë, e ka "trashëguar" nga puna që e ka kryer deri vonë, atë të ciceronit në Shpellën e Gadimes.
Por, prej dallim prej bashkëlojtarëve, Gjinovci nuk e ka ngritur zërin para grupeve të ndryshme që e kanë vizituar këtë shpellë ku ishte i angazhuar si ciceron. Punën e ciceronit të shpellës, Gjinovci ka nëntë muaj që e ka lënë. Nuk ka dëshirë të flas shumë për të dhe për arsyet që çuan të mos jetë më aty. Tash është i fokusuar vetëm te futsalli, sport në të cilin synon të perfeksionohet edhe më shumë si lojtar.
"Flas gjatë ndeshjeve, por këto më shumë i quaj instruksione për shkak se si bashkëlojtar ne duhet të kuptohemi mes vete. Ka raste kur nganjëherë këto instruksione i bëj me një ton pak më të lartë", thotë Gjinovci. "Kështu që, mund të them se jam edhe një lloj ciceroni gjatë ndeshjeve të futsallit, në të cilat luaj me ekipin tim".
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)