Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Orana e dëshpëruar që nuk u lejua të merrte pjesë në Evropianin e karatesë

Karateistja Fortesa Orana është e dëshpëruar që nuk u lejua të merrte pjesë në Evropianin e karatesë që ka nisur të mërkurën në Guadalajara të Spanjës.

Orana ishte një prej shtatë karateistëve që mbeti jashtë Evropianit për seniorë. Spanja nuk ka lejuar paraqitjen e karateistëve të Kosovës me simbole të shtetit.

“Ishte një vit shumë i rëndësishëm për mua, gjithashtu një vit shumë i vështirë, ishte një vit me shumë pengesa, ushtrime, sakrifica, dëshira, ndjenja, të cilat na mohuan të drejtën për të marrë pjesë në Kampionatin Evropian të Karatesë. Kosova nuk lejohet të marrë pjesë me simbole shtetërore. Jam shumë i mërzitur me këtë lajm. Jam shumë e dëshpëruar pasi kam punuar për këtë ëndërr për një kohë të gjatë në pritje të një medalje evropiane. Kjo është një pengesë shumë e madhe për një sportist kur lufton që ëndrra e tij të fitojë, nuk është hera e parë. Unë jam ndalur, mjaftojnë tre evropianë se kjo politikë që po përdoret në sport është shumë e padrejtë. Shpresoj që kjo politikë në sport të marrë fund, lus Zotin të më jap durim dhe qetësi në shpirt”, ka shkruar Orana në “Facebook”.

Javë më parë karateistët kishin mbetur jashtë Evropianit për të rinj, të mbajtur në Qipro. Autoritetet qipriote kishin kushtëzuar paraqitjen e Kosovës me heqjen dorë nga simbolet e shtetit. Kjo nuk ishte pranuar nga përgjegjësit e karatesë kosovare. Spanja, ashtu si Qipro nuk e njeh shtetin e Kosovës.

Por në vitin 2019 pikërisht në Guadalajara ishte mbajtur Evropiani për seniorë. Dhe në atë Evropian, Kosova ishte paraqitur e barabartë dhe me të gjitha simbolet.