Portieri i Meksikës, Guillermo Ochoa, thotë se njerëzit ende i afrohen në rrugë për ta pyetur për paraqitjen fantastike në Kupën e Botës 2014 kundër Brazilit.
Ochoa bëri gjashtë pritje në barazimin pa gola me Brazilin, i cili ishte ndër favoritët si nikoqir i turneut. Ai madje ia mohoi një gol të sigurt yllit brazilian Neymar, që goditi me kokë, dhe më pas e quajti “ndeshja e jetës”.
“Ndihem vërtet mirënjohës që jam njohur globalisht. Kjo do të thotë se e kam bërë punën time në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Ochoa të hënën.
Pjesë e rëndësishme e Meksikës që nga viti 2005, portieri kujtoi duelin e para tetë vjetësh, ndërsa përgatitej të luante në Kupën e tij të pestë të Botës.
Meksika hap turneun të martën kundër Polonisë në grupin C. Argjentina dhe Arabia Saudite janë gjithashtu në grup.
“E kam parë se si luan në kupat e botës dhe ai ka qenë gjithmonë një gjeni. Më kujtohet veçanërisht ajo që ndodhi në vitin 2014 dhe të them të drejtën ai është një portier i shkëlqyer, me shumë përvojë”, tha portieri polak Wojciech Szczesny.
Ochoa është në mesin e katër lojtarëve në Katar që do t'i bashkohen një grupi të veçantë të futbollistëve që kanë qenë në pesë kupa botërore. Ai bashkohet me Cristiano Ronaldon e Portugalisë, Lionel Messin e Argjentinës dhe bashkëlojtarin e Meksikës, Andres Guardado, që do të paraqiten në edicionin e këtij viti.
Para Katarit kishte vetëm katër lojtarë që ishin pjesë e këtij grupi me pesë botërorë: Gianluigi Buffon i Italisë, Lothar Matthaus i Gjermanisë dhe Antonio Carbajal dhe Rafa Marquez të Meksikës. Guardado dhe Ochoa dallojnë pasi janë bashkëlojtarët e parë që luajnë së bashku në pesë kupa botërore radhazi. Të dy bënë debutimin me Përfaqësuesen meksikane më 14 dhjetor 2005, në një fitore 2:0 në miqësoren ndaj Hungarisë.
“Unë mendoj se duke qenë në Kupën time të pestë të Botës jam me fat”, tha Ochoa përmes një përkthyesi. “Përveç kësaj, të jesh në një Kupë Bote nuk është kurrë e lehtë për një futbollist. Kishte lojtarë të mëdhenj gjatë historisë që nuk kishin mundësi të luanin në Botëror. Për mua, të luaj në pesë kupa të botës është e mrekullueshme”.
Meksika është paraqitur në tetë kupat e fundit të botës dhe ka kaluar në raundin e eliminimit në shtatë prej tyre. Meksika ka gjithashtu lojtarin më të vjetër në Kupën e Botës, portierin tjetër Alfredo Talavera, i cili është 40-vjeçar. Ochoa është 37-vjeçar, ndërsa Guardado është 36- vjeçar.