Sport

Nuk rritet numri i arbitrave me stemë të FIFA-s

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka njoftuar të martën se 13 gjyqtarë kosovarë të futbollit janë pajisur me stema të FIFA-s.

Numri i arbitrave që do të bartin stemën e shtëpisë së futbollit botëror është i njëjtë me numrin që ishte vitin e kaluar dhe po ashtu në vitin 2020.

Nga 13 gjyqtarët me stemë të FIFA-s kanë qenë edhe në dy vjetët e kaluar. Kjo i bie se nuk ka rritje të numrit të gjyqtarëve kosovarë me stemë të FIFA-s, ndonëse FFK-ja çdo vit njofton për këtë.

I vetmi ndryshim nga viti i kaluar është se në vend të gjyqtarit anësor, Imran Kabashi, këtë vit me stemë është pajisur Granit Hyseni, po ashtu gjyqtar anësor.

Në listë janë sërish vetëm dy gjyqtare, Lumturije Muhadri e futbollit dhe gjyqtarja e futsallit, Florentina Kallaba. Të dyja ishin edhe në vitin e kaluar. Muhadri është anësore.

Pozitive, sipas FFK-së, është se gjyqtarët kryesorë të futbollit dhe të futsallit janë avancuar në kategorinë e dytë, në bazë të kategorizimit që bën UEFA.

Konfirmimi i 13 gjyqtarëve me stema të FIFA-së është vlerësuar lart nga kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.

“Presidenti Agim Ademi dhe kryetari i Komisionit të Gjyqtarëve, Përparim Hasani, sot kanë dorëzuar stemat e reja të FIFA-s për 13 gjyqtarë, në mesin e tyre edhe dy femra, Lumturije Muhadri dhe Florentina Kallaba. Paraqitjet e mira të gjyqtarëve tanë në arenën ndërkombëtare kanë bërë që FIFA të konfirmojë stemat për 3 gjyqtarë kryesorë, 7 asistentë, si dhe 3 gjyqtarë të futsallit. Po ashtu, vlen të theksohet se që nga ky vit në bazë të kategorizimeve që bënë UEFA, gjyqtarët kryesorë dhe ata të futsallit janë avancuar në kategorinë e dytë”, thuhet, ndër të tjera, në njoftimin e FFK-së.

Sipas njoftimit, Agim Ademi u shpreh se të gjithë e kanë merituar rikonfirmimin e FIFA-s. Ai uroi që gjyqtarët me punën e tyre të jenë shembull në rajon e më gjerë. I pari i FFK-së tha se me implementimin e teknologjisë VAR, gjyqtarëve u është lehtësuar puna duke u zvogëluar edhe mundësia për gabime.

Gjyqtarët e pajisur me stemën e FIFA-s për vitin 2022 janë: Genc Nuza, Visar Kastrati, Besfort Kasumi (gjyqtarë kryesorë); Lumturije Muhadri, Fatlum Berisha, Bujar Selimaj, Fatmir Sekiraqa, Edmond Zeqiri, Besnik Morina, Granit Hyseni (asistent), Besar Beqiri, Besart Ismajli, Florentina Kallaba (gjyqtarë të futsallit).