Sport

Nouri zgjohet pas dy vjet e nëntë muaj në koma

Ylli i Ajaxit, Abdelhak “Appie” Nouri, është zgjuar pas dy vjet e nëntë muaj në koma.

Holandezi 22-vjeçar kishte kolapsuar në fushë në korrik të vitit 2017, pasi kishte pësuar sulm kardiak.

Ai përfundoi me dëmtim të rëndë dhe të përhershëm të trurit. Sajti holandez, AD ka shkruar se Nouri është zgjuar dhe se ai fle e ha, por vazhdon të jetë shumë i varur.

Vëllai i futbollistit, Abderrahim, i ka thënë sajtit AD se Nouri është mirë dhe se po jeton në shtëpinë e ndërtuar veçanërisht për të.

Vëllezërit nuk komunikojnë duke folur apo me sinjale, por duke ngritur vetullat.

Sipas The Sun, ndoshta lajmi më i mirë është që Nouri mund të shikoj sërish futboll dhe madje reagon ndaj lojës.

Babai i Nourit, Mohammed ka thënë se kanë kaluar një përvojë serioze.

“Duhet të kujdesemi për të duke dhënë më të mirën. Duhet të bëjmë shumë gjëra vet”, ka thënë ai.

Lajmi është edhe më i mrekullueshëm për faktin se familja e Nourit ka thënë në korrik të vitit 2017 që ai nuk do të ketë gjasa për shërim.

“Ai nuk mund të ec, nuk mund të flas, nuk na njeh, nuk e di kush jemi. Ai nuk ndien asgjë, nuk dëgjon asgjë. Sipas mjekëve, ai nuk do t’i bëjë këto sërish, ai kurrë nuk do të shërohet”, ka thënë vëllai i futbollistit.