Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Nisin hetimet ndaj Ronaldos për përdhunim

Një grua në Nevada ka paditur Cristiano Ronaldon dhe po merr pjesë në një hetim policor ndaj yllit botëror të futbollit për përdhunim të supozuar në një hotel në Las Vegas më 2009.

Avokatët e Ronaldos, një prej sportistëve më të njohur në botë, kërcënuan në fundjavë se do të padisin mediumin gjerman “Der Spiegel” për publikimin e akuzës.

Kathryn Mayorga kishte paditur Ronaldon të enjten dhe thotë se është detyruar të heshtë, sipas “Reutersit”.

Të hënën, pala e Ronaldos ka thënë se nuk do të flasin asgjë më shumë se deklarata e avokatit Christian Schertz që kishte thënë se raportimi ishte i papranueshëm në fushën e privatësisë.

Sipas akuzës, Ronaldo kishte takuar Mayorgan në një klub nate në Las Vegas në qershor të vitit 2009 dhe të nesërmen kishte ftuar një grup njerëzish, përfshirë Mayorgan, në shtëpinë ku po qëndronte. Atë natë, sipas akuzës, Ronaldo kishte përdhunuar Mayorgan. Në akuzë shtohet se Ronaldo më pas i ka kërkuar falje Mayorgas.

Policia në Las Vegas ka konfirmuar se rasti është hapur, ndërsa nuk ka konfirmuar nëse pjesë e tij është Ronaldo.

Ronaldo është shpallur pesë herë futbollisti më i mirë në botë.

Artikuj të ngjashëm