E mërkura ishte dita e parë e testimit final të punëve të bëra për më shumë se dy vjet në stadiumin e qytetit të Prishtinës, së fundi të emërtuar "Fadil Vokrri", transmeton Koha Ditore.
Testimi i pajisjeve të instaluara në stadium dhe gjithçka tjetër që është bërë do të bëhet edhe në dy ditët e radhës, sot dhe nesër, ndërkohë të shtunën, dyert e arenës së rinovuar do të hapen edhe për tifozët.
Të shtunën, stadiumi do të jetë nën llupën e inspektorëve të UEFA-s, nëse gjithçka është në rregull.
Ky testim do të bëhet me mini-turne, ku do të marrin pjesë veteranët e klubit Prishtina, ata të Flamurtarit të Vlorës dhe një ekip i përbërë nga skena politike dhe estrada. Gjithë turneu do të kryhet brenda 90 minutave lojë.
Për ndeshjen testuese, organizatorja - Federata e Futbollit e Kosovës - ka thënë se duhen të paktën 3 mijë shikues. Vetëm pas kësaj, kur të testohet qasja e shikuesve, lëvizja e njerëzve jashtë dhe brenda stadiumit, sistemet e kontrollit dhe të sigurisë, infrastruktura sportive, hapësirat e brendshme sportive dhe të tjera, UEFA do të japë ose jo licencën për ndeshje ndërkombëtare. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).