Adhurim Mjekiqi vlerësohet “e ardhmja e ndritur e futbollit norvegjez”. Është i ri në moshë dhe ka shumë cilësi. Aktualisht, futbollisti i krahut të djathtë të mbrojtjes është në Marbella të Spanjës ku po kryen fazën përgatitore me ekipin e parë të Sarpsborgut, që bën gara në elitën e futbollit norvegjez. Ai nuk e ka pritur një ngritje kaq të shpejtë në karrierë, por thotë se ka punuar shumë për këtë ditë. Mjekiqi, 17-vjeçar, ka treguar për KOHËN të mërkurën se po kalon momente tejet të mira në karrierë, të cilat nuk i kishte menduar më parë.
“Që në moshë të hershme kam nisur me futboll. Si gjashtëvjeçar, fillimisht isha te skuadra Kvik Halden, që është klub i qytetit ku jetoj dhe më pas ndërrova ambient dhe iu bashkova Sarpsborgut, që është skuadër e cila garon në elitën e futbollit të Norvegjisë. Jam zhvilluar te kjo skuadër si lojtar. Kam luajtur te grupmoshat U16, U19 dhe tani në ekipin e parë aktivizohem në krahun e djathtë dhe të majtë të mbrojtjes”, ka thënë Mjekiqi.
Megjithatë, Mjekiqi nuk mendon që të mbetet gjatë në futbollin norvegjez. Ai thotë se synim e ka transferimin në ndonjë ligë më të fortë të Evropës.
“Kam punuar shumë për të arritur këtu ku jam dhe synoj edhe më shumë në karrierë. Të shohim se si do të shkojnë gjërat sivjet në ‘Eliteserien’ me Saprsborgun. Për momentin jemi në përgatitje nga 3 shkurti dhe do të qëndrojmë këtu deri më 16 shkurt. Jam i gatshëm për sfida të mëdha. Plani është që në të ardhmen të luajë në ndonjë kampionat jashtë Norvegjisë, shpresojmë që sa më shpejt në ndonjë skuadër evropiane”, u shpreh Mjekiqi.
Mjekiqi si 17-vjeçar e firmosi kontratën profesionale me Sarpsborgun, në tetor të vitit 2020. Një gjë e tillë u vendos për faktin se te skuadra kishin besim të madh në aftësitë e tij. Vlerësime pozitive për Mjekiqin ka dhënë edhe drejtori sportiv i klubit norvegjez, Thomas Berntsen. Futbollisti që iu bashkua Kosovës U19 në tetor të vitit të kaluar ishte pjesë e grupmoshave të reja të Norvegjisë. Luajti tri ndeshje me gjeneratën U15 dhe dy të tjera me U16. Si pjesë e të rinjve të Kosovës debutoi pikërisht kundër Norvegjisë në humbjen 3:0. Ishte ndeshje kualifikuese për Evropianin 2022 që sivjet mbahet në Sllovaki. Mjekiqi ishte titullar edhe në dy humbjet e tjera të Kosovës, nga Gjeorgjia (1:0) dhe nga Uellsi (3:0). Por, e veçantë për të mbetet ndeshja debutuese me “Dardanët” e rinj, pasi thotë se të gjithë lojtarët që ishin te Norvegjia i kishte pasur bashkëlojtarë më parë.
“Pas disfatës nga Norvegjia, kam folur me disa lojtarë dhe bëmë shaka. Ishin të befasuar kur me kanë parë te Kosova pasi janë mësuar me mua te Norvegjia. Kam kujtime të mira. Kur isha te Norvegjia U15, u mposhtëm nga Anglia 2:1 dhe unë u shpalla lojtar i ndeshjes. Ai ka qenë momenti më i mirë deri tani në karrierë”, theksoi Mjekiqi.
Sidoqoftë, ajo tashmë i takon së kaluarës, ndërsa futbollisti i ri ka shpresë që të arrijë suksese të mëdha me Kosovën.
“Kosovën e kam në zemër. Është vendlindja e babait. Ëndrra e tij është që unë të luajë për ekipin e parë të Kosovës. Tash e kam mundësinë dhe shpresoj që ëndrrën e babait ta bëj realitet”, theksoi ai.