Sport

Ngritja e madhe e Kryeziut te Zuerichu, prej lojtarit të huazuar, në lider të ekipit kampion

(NZZ.ch) - Kur Karol Mets shënoi golin për 1:0 për FC Zuerichun në St. Gallen të shtunën e shkuar, rezervisti Mirlind Kryeziu u hodh nga pankina dhe përqafoi me gëzim trajnerin Andre Breitenreiter. Është një skenë që thotë shumë për skuadrën e Zuerichut këtë sezon: çdo lojtar është i lumtur për konkurrentin e tij. Është një skenë që përfaqëson marrëdhënien e veçantë mes trajnerit Breitenreiter dhe Kryeziut, i cili është bërë një lojtar i ri nën drejtimin e gjermanit. Ka disa lojtarë te Zuerichu që kanë shkruar histori të mahnitshme në këtë sezon të mrekullueshëm në Kampionatin zviceran. Assan Ceesay me golat e tij të shumtë është më i njohuri, Blerim Xhemaili dhe përralla e tij e të kthyerve një tjetër. Mirlind Kryeziu ndoshta ka shkruar rrëfimin më befasues – bëhet fjalë për rilindjen e mrekullueshme të mbrojtësit të Zuerichut. Kryeziu ka humbur vetëm dy ndeshje këtë sezon për shkak të suspendimit para se të fitonte titullin. Vetëm kjo thotë shumë. Por në asnjë mënyrë gjithçka. Ashtu si shumë e shumë të tjerëve këtë sezon, ngritja e jashtëzakonshme e Kryeziut te Zuerichu ka filluar me ardhjen e trajnerit të ri. Breitenreiter është paksa i lëkundur pesë ditë pas festimeve të Kampionatit, por me humor të mirë në qendrën stërvitore “Heerenschuerli”. Ai dëshiron të përmbahet, pasi nuk i pëlqen të veçojë apo lavdërojë ndonjë lojtar në veçanti. Ai nuk e ka avancuar Kryeziun, si gjithmonë përgjegjësi për këtë ka pasur vetë lojtari. Pastaj shpërthen entuziazmi, i cili pothuajse gjithmonë lind kur Breitenreiter flet për një nga të mbrojturit e tij te Zuerichu.

“Mirlindi ishte qendërmbrojtësi më i mirë në ligë këtë sezon”, thotë ai, duke kujtuar takimin e parë me një talent të përjetshëm që kurrë nuk u shfaq.

Gjatësia prej 196 centimetrash, pesha apo lëndimet e përsëritura thuhet se e kanë penguar rrugën e Kryeziut për të dalë në pah, thotë Breitenreiter.

“Kishte një lojtar përballë meje, të cilin në të vërtetë doje ta ndiqje nga fusha”, pranon Breitenreiter.

Gjermani donte ta shihte vetë para se të merrte një vendim. Atij i pëlqeu ajo që pa. Por kishte ende potencial për t’u përmirësuar.

Në kampin stërvitor, Breitner njëherë i kishte bashkangjitur Kryeziut 108 kilogramët e peshës së tij trupore “në mënyrë që të ndjente atë që mbante”. Kryeziu duhej ta bënte vetë pjesën tjetër.

“Nuk mund ta vendos lojtarin në saunë dhe të mos e lë të hajë një kafshatë, atëherë ai nuk do të performojë”, thotë Breitenreiter. "Shikoni Mirlindin sot: 98 kilogramë, një atlet mbresëlënës, një person i mrekullueshëm - ai duhet ta falënderojë veten për këtë”.

Në fillim të historisë së mrekullueshme, kontrata e Kryeziut skadonte në më shumë se një vit dhe ai shpejt e kuptoi se “ndoshta ka ende një shans” te Zuerichu. E këtë e bën duke folur me trajnerin e ri në ditët e tij të para në krye të Zuerichu.

“Ndjeva besim në bisedën e parë, kjo më dha vetëbesim”, thotë Kryeziu.

Mund të tingëllojë e thjeshtë, por Breitenreiter i tha se baza është që ai të besojë në forcat e veta dhe të punojë mbi to: leximi i lojës në mesin e mbrojtjes me tre lojtarë, fitimi i topit përballë kundërshtarit, shmangia e situatave me sprint dhe duke mos lejuar asgjë në ajër. Me fitoret e para u rrit vetëbesimi e bashkë me të edhe besimi te Kryeziu dhe tek ekipi. Kontrata e tij u zgjat së fundmi deri në verën e vitit 2025. Më pas tifozët e festuan këtë në Luzern me një pankartë të madhe: "Mirlind - në zemër një lojtar i vërtetë i Zuerichut”. Kryeziu shkëlqej. Në moshën 25-vjeçare ai ka mbërritur vërtet shumë Zuerichu - megjithëse përmbushja e ëndrrës së tij ishte në prag të dështimit.

“Faleminderit për mbështetjen”, shkroi Kryeziu në celular një ditë pas fitimit të titullit dhe pas një nate të gjatë i dërgon mesazhin Bruno Bernerit. Trajneri i Përfaqësueses U19 të Zvicrës është shprehur i lumtur për të.

“Mirlindi e ka kuptuar se për çfarë bëhet fjalë”, thotë ai.

Të dy njihen prej kohësh: Berner ishte trajner i Kryeziut tek ekipi U18 i Zuerichut, por mbi të gjitha lojtari shkoi te SC Kriens në formë huazimi për gjashtë muaj para këtij sezoni, ku ai ishte trajner.

“Mirlind duhej të mësonte të ëndërronte përsëri”, insistoi Berner.

Sado magjike që tingëllon, huazimi te Kriensi ishte sfidues për Kryeziun. Bëhej fjalë për aspekte mendore si besimi, vetëvlerësimi, butësia. Kushdo që huazohet në një klub të vogël nga një klub i madh në një ligë më të ulët shpesh “rrahet mendërisht”, thotë Berner.

“Për një lojtar të huazuar si Mirlindi nuk bëhej fjalë për të fituar përvojë, por për t’u integruar dhe të punojë. Ai e kuptoi shumë mirë këtë”, shpjegon Berner.

Marinko Jurendiq është drejtori sportiv i Zuerichut dhe përgjegjës për planifikimin e skuadrës. Vendimi për t'i sugjeruar Kryeziut të transferohej në Kriens u mor në fillim.

“Situata e Kryeziut ishte e ndërlikuar - në dy sezonet e mëparshme ai ishte një nga lojtarët e rëndësishëm të skuadrës dhe pati shumë paraqitje, por edicionin e ri, ai disi nuk bëri hapin e fundit për ta konfirmuar veten në ekip”, thotë Jurendiq.

Kështu që, në konsultim me shtabin teknik u arrit në përfundim se Kryeziut i duhej më shumë kohë. Jurendiq dikur kishte qenë trajner te Kriensi dhe njihte mjedisin familjar, ndërsa Berner e njihte lojtarin.

Vendimin për t’u huazuar, Kryeziu nuk e priti shumë mirë kur e njoftuan drejtuesit e Zuerichut.

“Në fillim isha i zhgënjyer. Dukej sikur të më dëbuan pasi jetova aty për njëzet vjet”, pranon Kryeziu.

Mirëpo, dy orë me makinë deri në Luzern, në një ambient tjetër, me disa lojtarë që i njihte dhe trajnerin, i bënë mirë Kryeziut.

“E kisha përgatitur veten: doja të jepja gjithçka për të rekomanduar sërish veten te Zuerichu me paraqitje të mira”, zbulon Kryeziu.

Kur ishte lojtar i Kriens, Kryeziu i ndiqte ndeshjet e Zuerichut si spektator në çdo rast. Ashtu si më parë, kur titulli i kampionit si lojtar në klubin e tij nuk ishte ende një ëndërr e realizuar. Kryeziu e ka kaluar tërë jetën te Zuerichu, ishte gjashtë apo shtatë vjeç kur xhaxhai e çoi me makinë në stërvitjen e provës. Ai ende jeton në Regensdorf, ashtu si atëherë, në fakt kampusi i Grasshoppersit “Niederhasli” do të kishte qenë më afër.

“Kjo është e drejtë, unë nuk dija asgjë për të si fëmijë, por xhaxhai im mori vendimin e duhur”, qeshet Kryeziu, e ka jetuar gjithë rininë e tij te skuadra e Zuerichut duke luajtur edhe për gjeneratat e reja të Zvicrës përpara se t’i bashkohet Kosovës. Mbi të gjitha, megjithatë, Kryeziu është lojtar i Zuerichut, shef i repartit defensiv, mbrojtës dhe kampion i Zvicrës.