Një princ i pasur dhe disa promovime që përfshin reperin amerikan Snoop Dogg kanë ndihmuar në shndërrimin e Johor Darul Ta'zim të Malajzisë në një nga klubet kryesore të Azisë, shkruan AFP, të enjten. Klubi, i njohur zakonisht si JDT, i ka rrënjët te ish-Johor FC dhe klube të tjera, të cilat nuk patën shumë sukses në nivelet e ulëta të futbollit në këtë vend. Por gjithçka filloi të ndryshojë në vitin 2012 kur Tunku Ismail Sulltan Ibrahim, princi i kurorës së familjes mbretërore Johor, mori kontrollin e futbollit në shtet. Me pseudonimin e ri “Tigrat e Jugut”, JDT e ka dominuar futbollin në Malajzi që nga viti 2014, duke fituar Superligën në secilin nga tetë sezonet e fundit.
Në prill u bë skuadra e parë nga Malajzia që arriti në fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve të Konfederatës Aziatike të Futbollit. Tani klubi nga vendi i përgjumur prej 32 milionë banorësh në gusht do të përballet me gjigantin kontinental dhe dy herë kampionin e Azisë, Urawa Red Diamonds, të Japonisë për një vend në 1/8 e finales.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Kjo është mbledhja e një fryti që u mboll 10 vjet më parë, me shumë përpjekje”, tha trajneri nga Meksika, Benjamin Mora, në qendrën stërvitore të klubit në kryeqytetin e shtetit Johor Bahru. “Ne jemi një ekip shumë i vogël në krahasim me gjigantët e Azisë, por shpirti ynë luftarak na bëri pretendentë seriozë”.
Kur Tunku Ismail u bë president i Shoqatës së futbollit në Johor, në veri të qytet-shtetit të Singaporit, ekipi i tij shtetëror ishte mesatar në rastin më të mirë. Ai bëri një rinovim të madh organizativ, duke përmirësuar stadiumet dhe duke sjellë lojtarë të nivelit të lartë dhe staf të huaj. Ekipi u riemërua në vitin 2013 si Johor Darul Ta'zim - dy fjalët e fundit do të thonë “vendbanimi i dinjitetit” në arabisht, një nderim zyrtar për shtetin në Malajzinë me shumicë myslimane.
Tunku Ismail, djali i madh i Sulltanit të fuqishëm, Ibrahim Sulltan Iskandar, aktivizoi klubin në vitin 2013 përpara se të shpallej pronar i tij në vitin 2016. Babai i tij, sulltani, kryeson një nga nëntë familjet mbretërore islame të Malajzisë dhe ndonëse është një sundimtar ceremonial, ka ndikim të konsiderueshëm. Ai është një figurë e veçantë - ka ushtrinë e tij private dhe ka ndërtuar një shtëpi të frymëzuar nga filmi vizatimor i preferuar, “The Flintstones”.
Mora, i cili nisi si trajneri i ekipit të dytë në vitin 2015 para se të merrte drejtimin e ekipit të parë në vitin 2017, ka pranuar se qasja e princit ka ndihmuar në masë të madhe skuadrën. Për shumicën e pronarëve të klubeve të tjera, përparësitë nuk janë loja, por industria dhe lidhjet që ata mund të krijojnë, tha Mora. Por princi Tunku Ismail interesohet vetëm për ekipin dhe lojën, duke filluar nga lojtarët e huaj, lojtarët vendas, stafin dhe seancat stërvitore. Skuadra e rigjallëruar e fitoi Superligën në vitin 2014 dhe vitin e ardhshëm u bë ekipi i parë nga Malajzia që e fitoi Kupën AFC, turneun kontinental të nivelit të dytë të Azisë, duke mposhtur Istiklolin e Taxhikistanit 1:0.
Në një përpjekje për të rritur profilin, JDT kohët e fundit hyri në një ndeshje së bashku me reperin amerikan, Snoop Dogg, që performoi përkrah artistit vendas, Joe Flizzow. Kjo skenë ndodhi në stadiumin “Sulltan Ibrahim”, që u hap në vitin 2020 dhe është më i bukuri në vend me një kapacitet prej 40 mijë ulësesh. Mbrojtësi Mohamad Aidil Zafuan Abdul Radzak, i cili ka qenë me klubin që nga viti 2013, tha se qasja në pajisje të reja, si makinat e terapisë me oksigjen dhe saunat me rreze infra të kuqe, bëri një ndryshim të madh.
“Nuk kam parë skuadra të tjera në Malajzi të kenë pajisjet që ka JTD”, tha 34-vjeçari.
Lojtarët e ekipit JDT tani përbëjnë pjesën më të madhe të Përfaqësueses së Malajzisë, me 13 prej tyre që janë pjesë e listës prej 23 futbollistëve për kualifikimet e Kupës së Azisë. Megjithatë, mbetet për të parë nëse ata mund të bëjnë ndryshim në paraqitjen e dobët të Malajzisë, që renditet vetëm në vendin e 147-të në botë. Pavarësisht rritjes së shpejtë, JDT përballet me një luftë të ashpër me skuadrat më të mira të Azisë në fazat eliminatore të Ligës së Kampionëve në gusht.
“Do të jetë pothuajse e pamundur sepse ekipet japoneze dhe koreane janë shumë të forta. Por, nëse luajmë pa gabime, mund ta fitojmë këtë garë prestigjioze”, insistoi trajneri Mora.