“Ballon d’Or” apo “Topi i Artë” do të jepet në bazë të paraqitjeve gjatë sezonit të rregullt dhe jo në bazë të paraqitjes përgjatë vitit kalendarik, ka thënë “France Football” të premten.
Reduktimi i numrit të votuesve ishte në mesin e ndryshimeve të publikuara, në mënyrë që të thjeshtësohet procesi.
Revista javore “France Football” ka nisur së dhuruari këtë çmim për futbollistë që nga viti 1956, ndërsa për futbolliste që nga viti 2018. Megjithatë, në të dyja konkurrencat nuk u dha çmim në vitin 2020 për shkak të pandemisë.
“Nuk do të ketë nga janari deri në dhjetor”, ka shkruar revista në “Twitter”.
“‘Ballon d’Or’ do të jepet në bazë të sezonit klasik të futbollit, nga gushti deri në korrik”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Ylli i Paris Saint-Germainit dhe Argjentinës, Lionel Messi, e fitoi për herën e fundit këtë çmim dhe ishte i shtati në karrierë, ndërsa Alexia Putellas e Barcelonës dhe reprezentuesja e Spanjës, u bë fituesja e tretë e çmimit në konkurrencën e femrave, në vitin 2021. Messi mori më shumë vota se sulmuesi i Bayern Munichut dhe Polonisë, Robert Lewandowski.
Këto ndryshime do të thonë se çmimi i “Topit të Artë” do ta përfshijë edhe sezonin 2021/22, që përfundon me Kampionatin Evropian në qershor. Ceremonia e ardhshme do të mbahet në tetor.
Kupa e Botës në Katar, që nis më 21 dhjetor dhe përfundon më 18 dhjetor, nuk do të merret parasysh sivjet, por do të luajë rol në dhënien e çmimit të edicionit të ardhshëm.
Nga 170 votues në konkurrencën e meshkujve, numri do të reduktohet në 100, ndërsa 50 votues do të jenë për konkurrencën e femrave.
Revista po ashtu bëri të qartë edhe kriterin për këtë çmim. Do të bazohet fillimisht në paraqitjet individuale, ekipore dhe më pas në “fair-play”.