Ndeshja e parë e futbollit për të rritur pa goditje të topit me kokë, që do të zhvillohet në fund të këtij muaji, është mirëpritur nga një prej shkencëtarëve kryesorë për dëmtimet e trurit.
Organizatorët shpresojnë se ndeshja në Spennymoor Town, që përfshin ish-profesionistë, do të tregojë se si funksionon futbolli mes dy ekipeve me nga 11 futbollistë me kufizimet e goditjeve me kokë dhe do të vazhdojë një “bisedë të vazhdueshme për sigurinë e lojtarëve”.
Profesori Willie Stewart nga Universiteti i Glasgowit ka publikuar kërkimet që tregojnë se futbollistët kanë deri në pesë herë më shumë gjasa të vuajnë nga dementia sesa popullata e përgjithshme. Ai beson se sëmundja neuro-degjenerative e trurit lidhet me goditjen e topit me kokë. Studimet treguan se mbrojtësit ishin më të rrezikuar sesa portierët, të cilët nuk e godasin topin me kokë, por e grushtojnë. Ndeshja, e organizuar nga organizata bamirëse “Head for Change”, do të lejojë vetëm goditjet me kokë në zonën e penalltisë dhe atë vetëm në pjesën e parë. Më pas do të kufizojë të gjitha goditjet me kokë gjatë pjesës së dytë.
Bashkëthemeluesja Dr. Judith Gates tha se ata donin që ndeshja që do të luhet të dielën, më 26 shtator, “të rrisë ndërgjegjësimin për rreziqet e goditjeve me kokë dhe ishte hapi logjik i ardhshëm” për të parandaluar dëmtimet e trurit te lojtarët.
Ajo tha gjithashtu se do të ishte një “trashëgimi” për burrin e saj, ish-mbrojtësin e skuadrës angleze Middlesbrough, Bill Gates, i cili ka një gjendje neuro-degjenerative. Profesori Stewart tha se ishte “habitur” që ishte dashur deri në vitin 2021 që një ndeshje si kjo të organizohej dhe sfidoi shoqatat e futbollit që ta çonin idenë përpara.
“Ky është një zhvillim i vonuar dhe i mirëseardhur prej kohësh”, tha Stewart. “Ajo që ne të gjithë duam të shohim është të kemi nevojë për një vlerësim më kuptimplotë dhe ndoshta afatgjatë të asaj që mund të jetë kufizimi dhe heqja e goditjeve me kokë në një lojë. Pra, kjo është një sfidë për organizatat e futbollit dhe ato mund ta çojnë këtë përpara. Kjo është ajo që ne duhet të shohim të ndodhë tani”.
Ai ka insistuar se të gjithë duhet kuptuar se rreziku nga dementia është shumë i madh dhe futbollistët duhet ta kuptojnë këtë përpara se ta godasin topin me kokë. Goditjet e topit me kokë janë bazike dhe shumë të shpeshta në lojën e futbollit.
“Ne duhet të pranojmë se rreziku është i madh nëse do të vazhdohet topi të goditet me kokë vazhdimisht në ndeshjet e futbollit. Të gjithë duhet ta kuptojnë se lojtarët janë më të rrezikuarit”, insistoi Stewart.
Hulumtimi i fundit i Stewartit në muajin gusht, i cili u financua nga Federata e Futbollit e Anglisë, sindikata e lojtarëve, Shoqata e Futbollistëve Profesionistë, gjithashtu zbuloi se rreziku i sëmundjeve të trurit u rrit sa më gjatë që ishte karriera e futbollit e një lojtari.
Pas publikimit të studimit, Stewart tha se “topat duhet të shiten me një paralajmërim shëndetësor, duke thënë se goditja e vazhdueshme në kokë në futboll mund të çojë në rritjen e rreziqeve të dementias”.
Ndërkohë, Gates shtoi se e kupton shumë mirë Stewartin për shkak se burri i saj ishte futbollist.
“Pasioni për ta bërë këtë vjen nga të jetuarit së bashku me Billin. Ne nuk mund ta ndryshojmë trajektoren për sëmundjen e tij, por ne i bëmë atij një angazhim familjar për të mbrojtur lojtarët dhe familjet e ardhshme nga përvoja e njëjtë me ne. Dhe kjo do të jetë trashëgimia e tij”, tha Gates. “Ne nuk po rekomandojmë që goditja me kokë të ndalohet, ky është një vendim që duhet ta marrin organet drejtuese. Por sa më shumë informata, sa më shumë dëshmi të marrim dhe sa më shumë të shikojmë alternativat, aq më shumë ka gjasa që të mbrojmë lojtarët dhe të mbrojmë lojën e futbollit”.