Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Mustafi thotë se Arteta ka bashkuar skuadrën e Arsenalit

Shkodran Mustafi thotë se trajneri Mikel Arteta i ka të gjithë anëtarët e skuadrës së Arsenalit në “një vend” dhe beson se klubi është i destinuar për gjëra të mëdha nën urdhrat e ish-lojtarit të kësaj skuadre.

Mbrojtësi shqiptar me pasaportë gjermane ka reflektuar për ndikimin e Artetas prej se ai mori drejtimin e skuadrës në dhjetor të vitit të kaluar.

“Ai është pak si profesor”, ka thënë Mustafi për Sky Sports.

“Ai e di saktësisht se ku dëshiron që lojtarët të jenë kur e kanë topin dhe si të reagojnë pasi të humbasin topin. Është shumë i veçantë. Kur pasoj unë jam i fokusuar vetëm se ku të qëndrojë nëse e humbim topin. Por ai dëshiron që unë të kontribuoj edhe në ofanzivë. Kështu që në mënyrë të vazhdueshme duhet të jemi opsion për lojtarët me top”, ka shtuar ish-reprezentuesi i Gjermanisë.

Si 28-vjeçar që ka luajtur në shumë vende, Mustafi ka menduar se di çdo gjë për futbollin. Por ai thotë se ka mësuar gjëra me Artetan që nuk i ka ditur më parë.

Kur është pyetur për Mesut Oezlin, Mustafi ka thënë se Arteta ka bashkuar të gjithë skuadrën.

“Ndonjëherë ne nuk e kuptojmë se sa punë e vështirë është. Prej 25 lojtarëve ndoshta 20 pajtohen me trajnerin dhe pesë mendojnë se duhet të luajmë ndryshe. Prej kur Mikel ka ardhur ai i ka pas vetes 25 lojtarë dhe kjo nuk është e lehtë të arrihet. Të gjithë kuptojnë dhe çdo gjë që thotë ai ka kuptim. Nuk ka asgjë për të cilën mund të ankohemi. Të gjithë kanë përfituar, edhe Mesuti”.

Arteta ishte testuar pozitiv në mars për koronavirus. Nuk vonoi shumë dhe Premier League u pezullua.

“Ishte shokuese. Në fillim askush nuk ka ditur shumë për këtë. Askush nuk dëshiron që ai të jetë në gjendje të keqe. Pasi ndodhi kjo ne ishim në kontakt përmes ‘Zoomit’”, ka treguar Mustafi.

Mustafi është rritur në Gjermani por nuk ka luajtur në Bundesligë. Bundesliga rifillon nesër dhe sytë e të gjithë janë kthyer nga kampionati gjerman.

“Ka shumë fjalë dhe vlerësime, por unë po shikoj para që të luajmë. Gjermania ka menaxhuar shumë mirë situatën. Për këtë në Gjermani mund të fillojnë të luajnë, por është shumë e vështirë të shpjegoj se çka mendoj. Unë nuk e di dallimin në mes të Gjermanisë dhe Anglisë. Disa thonë që është mirë, disa jo. Për mua gjëja më e rëndësishme është që të mendojmë për siguri”.

Artikuj të ngjashëm