Qendërmbrojtësi shqiptar, Shkodran Mustafi, ka luajtur ndeshjen e tij të parë në Premier League këtë stinor, ndërsa Arsenali ka barazuar 2:2 në udhëtim ndaj Norwich Cityt në xhiron e 14-të të elitës së futbollit anglez.
Mustafi ishte titullar të dielën, siç ishte edhe Granit Xhaka dhe të dy luajtën tërë ndeshjen. Arsenali ka ndërruar trajnerin të premten, duke e emëruar Freddie Ljungbergun në vend të Unai Emeryt, transmeton Koha Ditore.
Mustafi nuk ishte fare në plane të Emeryt dhe aktivizohej vetëm në ndeshje të Ligës së Evropës. Por, me Ljungbergun ai mori rastin të dielën. Xhaka po ashtu vetëm së fundi ishte kthyer në përbërje të Arsenalit, pas një skandali që pati me tifozët e klubit.
“Unë u jap të gjithëve një mundësi”, ka thënë Ljungberg për vendimin që t’i aktivizonte nga fillimi Mustafin e Xhakën. Arsenali pas 14 xhirove zë vendin e tetë me 19 pikë, është shtatë pikë larg pozitës që dërgon në Champions.