Futbollisti i Kosovës U-21, Valdrin Mustafa të bërë të ditur të premten për Koha.net se është shëruar nga koronavirusi.
Mustafa 22-vjeçar është sportisti i vetëm nga Kosova i prekur nga pandemia. Ai doli pozitiv për koronavirus dhjetë ditë më parë, ndërsa të premten mori rezultatin e një testimi të dytë, që doli negativ.
Ai tashmë llogaritet i shëruar plotësisht dhe mund të dal nga karantina. Mustafa jeton në Gjermani.
“E kam pasur një test dhe rezultati doli negativ, duke iu falënderuar Zotit. Po ndihem shumë mirë. Nuk kam teste më, ky ishte i fundit dhe doli negativ. Prej sot jam i lirë”, ka thënë Mustafa për Koha.net.
“Nuk ishte periudhë e lehtë për mua. Kam pasur kujdes dhe e kam kaluar. Dikush e ka imunitetin më të fortë e dikush më të dobtë. Por ne shqiptarët nuk dorëzohemi. Kam pushuar shumë, kam fjetur shumë, kam marrë shumë vitamina dhe tani jam i shëruar”, ka shtuar Mustafa.
Ai është njëri prej tre lojtarëve të ekipit të dytë të Hannoverit të prekur nga koronavirusi. Ndërkohë dy lojtarë të ekipit të parë të Hannoverit janë shëruar po ashtu. Këtë e ka bërë të ditur klubi gjerman i kategorisë së dytë.