Vedat Muriqi nuk ka dashur të flasë rreth të ardhmes së tij pas përfundimit të sezonit me Mallorcan, në konferencë për shtyp para ndeshjes me Greqinë të cilën Kosova e luan të dielën në “Fadil Vokrri”.
28-vjeçari që ishte i huazuar nga Lazio te skuadra e La Ligas ka bërë të ditur se i gjithë fokusi i tij është për ndeshjet e Ligës së Kombeve me “Dardanët”.
“Nuk dua t’ia di për të ardhmen pasi është mbyllur sezoni. Jam i fokusuar për ndeshjet e radhës dhe të përfundojmë sezonin. Do të kemi një pushim njëmujor pasi lufta për mbijetesë të lodhë psikikisht. Për momentin nuk po mendoj për të ardhmen time. Kam një ekip”, deklaroi Muriqi.
Sulmuesi i Kosovës e konsideron nder që u shpall lojtari i muajit maj në La Liga pas paraqitjeve të mira me Mallorcan.
“Ndihem i nderuar pasi jemi ambasadorë të shtetit dhe e dimë si është puna politike me Spanjën. Kur e pashë mesazhin që jam shpallur lojtari i muajit u ndjeva mirë, sepse ishte edhe flamuri i Kosovës. Jam shumë i lumtur që në një ligë që është ndër katër më të mirat në botë, kam arritur ta fitoj këtë çmim dhe besoj që është diçka për t’u krenuar. Shpresoj të vazhdoj kështu edhe me Kombëtaren”, shtoi Muriqi.