Trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi, ka thënë se ka pritur ndeshje të vështirë ndaj Flamurtarit. Lideri i klasifikimit në Superligën e Kosovës në futboll, Ballkani, pësoi 2:1 si mysafir i Flamurtarit, të hënën në kuadër të xhiros së 22-të të IPKO Superligës së Kosovës në futboll.
Munishi ka pranuar se skuadra e tij dështoj pas dy ndërprerjeve, ndërsa ka thënë se rrethana të çuditshme po ka në ndeshjet e Ballkanit në udhëtim.
“E kemi ditur që do të jetë vështirë. Gabuam në dy ndërprerje dhe kjo është e pafalshme pasi i kemi stërvitur ato pozita. Fusha ishte pak e rënduar, por kam pritur se do të jetë në gjendje edhe më të rëndë. Tentuam që të rikthehemi, por rrethanat ishin që kaq mundëm të bëjmë sot. Nuk dua të flas për referimin. Kur kemi luajtur jashtë ka pasur rrethana të çuditshme, jo vetëm këtu por në disa vende. Në shtëpi është më ndryshe, kemi paraqitje më dinjitoze”, ka thënë Ismet Munishi.
Trajneri i Flamurtarit, Sunaj Keqi i ka vlerësuar shumë të rëndësishme tri pikët e fituara ndaj liderit.
“Ishte ndeshje e rëndësishme, na janë dashur shumë këto tri pikë. Gjatë ditëve të fundit më shumë kemi punuar në anën psikologjike. Djemtë sot treguan karakter. Do të luftojmë deri në fund për mbijetesë”, ka thënë Keqi.