Ismet Munishi ka konfirmuar bisedimet me klubin e madh shqiptar të Maqedonisë së Veriut, Shkëndijen e Tetovës. Ai ka thënë se është kontaktuar nga zyrtarë të klubit tetovar. Munishi javë më parë u largua nga Gjilani. Në Kosovë ka drejtuar edhe disa klube të tjera.
“Kam pranuar telefonata nga zyrtarët e Shkëndijes.Shkëndija të gjithë e dimë se çfarë klubi është, por edhe kanë një tifozëri fantastike. ‘Ballistat’ janë tifozë e organizuar dhe ndihmë e madhe për Shkëndijen”, ka thënë Munishi të martën për KOHËN.
Munishi është raportuar më herët se është në kontakt edhe me krerët e klubit Prishtina. Marrëveshje ende nuk ka, por gjasat janë të mëdha që Munishi të bëhet trajner te Prishtina, që sezonin aktual është në garë për t’i ikur barazhit. Prishtina sezonin e kaluar doli kampione e Kosovës.