Kosova nuk ka ndonjë skuadër futbolli në fazën grupore të Ligës së Kampionëve apo të Ligës së Evropës, shkruan sot Koha Ditore.
Nuk ka skuadra as në garat kryesore në sportet e tjera ekipore. Por megjithatë aktivitetet ndërkombëtare nuk mungojnë për sportistët kosovarë.
Sidomos muaji tetor do të jetë i mbushur me aktivitete ndërkombëtare në vend e po ashtu me aktivitete të sportistëve kosovarë jashtë vendit.
Të martën, në ditën e dytë të muajit, nisën sfidat ndërkombëtare për futbollistet e përfaqësueses U-19 të Kosovës. Nuk ishte një fillim i pritur, por disfata 6:0 nga Gjermania, megjithatë vlerësohet se do të shërbejë për të ardhmen e lojtareve të reja. 19-vjeçaret luajtën në Irlandë të Veriut, ku po mbahet turneu i grupit të nëntë të raundit kualifikues për "Euro 2019".
Kosova më 5 tetor luan ndaj Irlandës së Veriut e më 8 tetor ndaj Estonisë. Dy të parët në grup kalojnë në raundin elitë kualifikuese, ndërsa avancimi është i mundur edhe prej pozitës së tretë. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).