Drejtuesit e Monzas kanë marrë vendim për shkarkimin e trajnerit Giovanni Stropa, ka raportuar të martën “Sky Sport Italia”.
Bëhet e ditur se shkarkimi i Stropas ka ardhur pas rezultateve të dobëta që ka pasur ekipi këtë edicion në Serie A. Në gjashtë ndeshje të luajtura deri më tani, Monza që po debuton në elitën e futbollit italian ka tubuar vetëm një pikë.
Për ndeshjen e ardhshme që Monza e luan në shtëpi me Juventusin, trajnerin Stropa do ta zëvendësojë Raffaele Palladino, i cili është në krye të ekipit U21.
Ndërkohë krerët e Monzas kanë nisur negociatat me Claudio Ranierin, i cili pritet të zyrtarizohet si trajner në fillim të javës së ardhshme.