Sport

MKRS-ja zotohet se infrastruktura do të jetë gati për Lojërat Mesdhetare

Kosova aktualisht nuk plotëson asnjë prej kritereve bazë për të qenë nikoqire e Lojërave Mesdhetare pas 7 vjetësh. Për të plotësuar kriteret bazë i duhet goxha investim. Por, në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) zotohen se sa u përket punëve që do t’u takojnë, do t’i përfundojnë me kohë për të mirëpritur Lojërat Mesdhetare të vitit 2030. MKRS-ja e ka barrën më të madhe. Pra, të investojë apo edhe të gjejë mjete financiare për të rregulluar infrastrukturën. Në përgjigjet me shkrim dërguar KOHËS, MKRS-ja thotë se koncepti fillestar i organizimit të Lojërave Mesdhetare 2030 parasheh shtrirjen e investimeve në tërë territorin e Kosovës. Sipas MKRS-së, investimet në infrastrukturë do të kenë dy shtylla kryesore - rinovimin e objekteve ekzistuese dhe ndërtimin e objekteve të reja.

“Ky organizim do të shërbejë si trampolinë e zhvillimit të sportit në vend, e në veçanti të infrastrukturës fizike. Në planin ekzistues të MKRS-së, si dhe në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve, veçse janë të parapara shumica e investimeve të nevojshme për organizimin e LM 2030. Pjesa e rinovimit dhe ndërtimit të stadiumeve të futbollit po ashtu është pjesë e planit tonë investues pesëvjeçar për zhvillimin e infrastrukturës së futbollit që ka gjetur mbështetje nga FIFA dhe UEFA. Kosova do të sigurohet që t’i plotësojë të gjitha kërkesat duke reflektuar dy prioritete tona: zhvillimin e sportit përbrenda vendit dhe konsolidimin e imazhit shtetëror dhe promovimin e vendit në arenën ndërkombëtare”, shkruan në përgjigjet e MKRS-së.

Kosova ka aplikuar zyrtarisht që të jetë nikoqire e edicionit të 21-të të Lojërave Mesdhetare 2030. Aplikimi i Kosovës është vlerësuar si historik, në një konferencë për media, kur udhëheqësit shtetërorë dhe ata të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), ditë më parë janë bërë bashkë për të shpalosur synimet e mëdha. KOK-u ka kohë deri në fund të qershorit të dorëzojë dosjen e kandidaturës. Më pas Komisioni i Vlerësimit do të bëjë një vizitë në Kosovë, kurse vendimin se cilit shtet do t’i besohet organizimi i Lojërave Mesdhetare të vitit 2030, Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare do ta marrë më 8 shtator, gjatë Asamblesë së Përgjithshme në Greqi. Për të organizuar Lojërat Mesdhetare, Kosovës i duhet ndërtimi i dy pishinave olimpike, një arene të atletikës me rreth 3000 ulëse, një qendër olimpike për shigjetari, shenjëtari e sporte të tjera, një qendër e tenisit, një stadium me mbi 20 mijë ulëse e Fshati Mediteran.

“MKRS në bashkëpunim me Komitetin Olimpik të Kosovës dhe me të gjitha nivelet e institucioneve relevante do të themelojnë Komitetin për hartim të detajuar të kandidaturës. Procesi i hartimit të kandidaturës do të përfshijë të gjitha detajet e investimeve infrastrukturore si dhe kapacitetet dhe shërbimet e tjera operacionale të cilat duhet ofruar për organizimin e suksesshëm të këtyre lojërave. Ne do të sigurohemi që masterplani masiv të jetë i hartuar dhe i dërguar sipas kërkesave të ICMG”, shkruan tutje në përgjigjet e MKRS-së.

Organizimi i kësaj ngjarjeje kërkon investim të madh, milionësh, ndërsa përfitimi më i madh pritet të jetë në përmirësimin e infrastrukturës sportive në vend.

Në fakt, pak objekte sportive plotësojnë kriteret për gara ndërkombëtare. Për shembull, në futboll është vetëm stadiumi “Fadil Vokrri” që i plotëson kriteret për ndeshje ndërkombëtare. Palestrat e lëshuara për sportistë janë të papërfunduara ose me shumë defekte. Shumica e tyre vërshohen nga uji sa herë që ka reshje në vend. Edhe për sportistë të sporteve individuale ka telashe të mëdha, nga vendet ku stërviten e deri te garat. Sportistë të sporteve të ndryshme stërviten nëpër livadhe, oborre të shkollave dhe të shtëpive. Për disa sporte nuk ka as objekte e as hapësira e fusha për t’u zhvilluar si sport. Një prej tyre është golfi. Kosova nuk ka as shteg të atletikës për gara ndërkombëtare, notarët garat i zhvillojnë në pishina private dhe gjysmolimpike. Punët për ndërtimin e pishinës olimpike në Prizren kanë ngecur. Tjetër pishinë olimpike nuk është nisur nga shteti. Nuk është nisur as edhe stadiumi kombëtar. E me gjasë nuk pritet të ndërtohet. Stadiumet ekzistuese janë larg përmbushjes së kritereve për ndeshje ndërkombëtare. Aktualisht vetëm stadiumi “Fadil Vokrri” e plotëson kriterin minimal për ndeshje ndërkombëtare. Për t’u mbajtur ceremonia hapëse duhet të rritet kapaciteti. Është folur rritja e kapacitetit, por që ende nuk ka asnjë hap në atë drejtim. Stadiumi “Adem Jashari” në Mitrovicë ka mbetur gërmadhë.

“Organizimi do të realizohet me fokusimin e buxhetit të MKRS-së në këtë projekt, dhe natyrisht përmes mbështetjes së plotë nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Përtej kësaj, së bashku me Komitetin Olimpik të Kosovës dhe me institucionet e tjera të Republikës së Kosovës, do të orientojmë forcat tona të thithjes së fondeve të partnerëve tanë ndërkombëtarë, si dhe krijimit të kushteve të favorshme për realizimin e investimeve publiko-private në kuadër të këtij projekti.

Në programin e Lojërave Mesdhetare aktualisht janë sporte si: noti, atletika, xhudoja, basketbolli, boksi, futbolli, gjimnastika, hendbolli, volejbolli, karateja, mundja e sporte të tjera. Kosova pritet të garojë me shumicën e sporteve të programit mesdhetar.

Në Lojërat Mesdhetare marrin pjesë sportistët më të mirët të sporteve të ndryshme të 26 vendeve pjesëmarrëse.