Përmes një letre të hapur, Ballkani i Suharekës të dielën pasdite i ishte drejtuar presidentes së vendit, kryeministrit, ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe të gjitha palëve të interesuara. Klubi i futbollit Ballkani ka shprehur pretendime se gara për titull është e kurdisur dhe se Federata e Futbollit e Kosovës së bashku me disa klube dhe “mbetje politike” po vendos se kush bëhet kampion, kush fiton Kupën dhe cili klub do të mbetet pa asgjë.
Nuk ka pasur ndonjë përgjigje në akuzat e Ballkanit nga Federata e Futbollit e Kosovës, institucioni përgjegjës për mbarëvajtjen e garave të futbollit.
KOHA të hënën u ka shkruar të gjitha institucioneve që i ka përmendur Ballkani, por nuk ka marrë përgjigje nga FFK-ja.
Nga presidenca kanë thënë se “nuk mund të flasin me çështje që nuk janë në kompetencë të Presidencës”, duke shtuar se çështjet e ngritura nga Ballkani nuk i takojnë Presidencës.
Përgjigje ka kthyer Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
“Për ne është inkurajues fakti që aktorët e sistemit sportiv mbrojnë të drejtat e tyre dhe integritetin e sportit. MKRS-ja e merr seriozisht çdo shqetësim të komuniteti sportiv dhe brenda përgjegjësive tona ligjore do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme për adresimin e shqetësimeve të ngritura. Ne kemi kërkuar që kjo çështje të adresohet me prioritet në mbledhjen e radhës së komisionit për parandalimin e dukurive negative në ngjarjet sportive, i cili funksionon në kuadër të ministrisë, për të diskutuar mbi këtë raportim. Ne do t’i kërkojmë rekomandimet e tyre konkrete për veprimet institucionale që duhet t’i ndërmarrë MKRS-ja. Në të njëjtën kohë, besojmë që rol të rëndësishëm në këto çështje kanë edhe organet e drejtësisë. Andaj, ne i inkurajojmë organet kompetente që të ndërmarrin masat e nevojshme për parandalimin dhe luftimin e kurdisjeve të rezultateve në ndeshjet e futbollit dhe çdo sporti tjetër. Është përkushtim i veçantë i kësaj qeverie të sigurohemi se sporti zhvillohet në ambient të barabartë dhe të sigurtë për secilin individ dhe klub sportiv”, thuhet në përgjigjen e Qerim Ondozit, këshilltar politik në MKRS.
Por, ka munguar përgjigjja nga FFK-ja. Për më tepër, FFK-ja përmes Komisionit të Garave, ka hapur procedurë disiplinore ndaj Ballkanit, pas letrës së hapur të klubit therandas.
“Inicim disiplinor ndaj FC Ballkani. Motivi: Në deklaratën publike ofendon dhe akuzon organet e FFK-së dhe klubet për kalkulime (manipulime) në ecurinë e ndeshjeve kampionale dhe për Kupë”, thuhet në vendimin e Komisionit të Garave.
KOHA ka kontaktuar edhe presidentin e Ballkanit, Arsim Kabashi, për ta pyetur nëse klubi ka marrë ndonjë përgjigje për letrën e hapur. Por ai nuk ka dashur të komentojë.
Ballkani, që është lider i Superligës, ka thënë se futbolli i Kosovës po shkatërrohet.
“Si është e mundur që për vite me radhë në futbollin e Kosovës, ose më saktë në përfundim të çdo sezoni të futbollit, qoftë në garat e kampionatit apo të Kupës, opinioni më tepër të merret me kalkulime matematikore sesa me futboll të vërtetë. A jemi ne duke luajtur futboll apo jemi duke bërë ‘matematikë’, sepse ne si klub jemi regjistruar në FFK për të luajtur futboll e jo për të bërë ‘kalkulime’. Si është e mundur që opinioni ta dijë, e me javë para ndeshjes e dinte si do të përfundonte ndeshja. Cili klub, cilit klub tjetër po ia lëshon lojën, cili klub e lëshon kupën për kampionat e cili klub e lëshon kampionatin për Kupë?”, ka pyetur Ballkanin.
“Fatkeqësisht në krejt këtë maskaradë janë të përfshira disa klube, disa mbetje politike dhe FFK-ja. Kjo e fundit në mënyrë mjeshtërore kryen punën e saj duke vendosur cili klub do të bëhet kampion, cili do ta fitojë Kupën, si dhe cili do të mbetet pa asgjë”, shkruan në letrën e Ballkanit. Ky klub vlerëson se futbolli kosovar ka degraduar në çdo aspekt.
Ndonëse klubi lider i kategorisë më të lartë ka akuzuar rëndë, në FFK kanë vendosur të mos deklarohen. Nuk ka pasur deklarata apo qëndrime as nga klube të tjera të Superligës apo të ligave të tjera.
Se gjendja në futbollin kosovar është larg prej asaj që duhet të jetë, është thënë edhe në emisionin “Sporti Total” në KTV, të dielën mbrëma.
Prokurori Besim Kelmendi, që është kryetar i Këshillit Kombëtar për parandalimin dhe sanksionimin e dukurive negative në ngjarjet sportive, ka pranuar se kurdisje në futbollin e Kosovës ka.
“Ka kurdisje në futbollin e Kosovës. Mos të kishte, nuk do të kishte as aktakuzë. Sot ka në Kosovë aktakuzë për kurdisje. Është ndeshja në Mitrovicë ndërmjet Trepçës dhe Fushë-Kosovës dhe për këtë ndeshje është aktakuza e parë për kurdisje. Por nuk është vetëm kjo ndeshje që po hetohet nga Prokuroria. Ka edhe mjaft ndeshje të tjera”, ka thënë Kelmendi.
Ai ka thënë se këtë vit ka më shumë ndeshje të dyshimta se vitin e kaluar. Thotë se Prokuroria dhe policia tashmë janë përfshirë më shumë. Sipas Kelmendit, po hetohen edhe ndeshje të këtij edicioni e po ashtu të javëve të fundit. Madje, sipas prokurorit Kelmendi, e përfshirë është edhe UEFA.
“Unë besoj që ata (UEFA) janë duke i përcjellë të gjitha ndeshjet. Madje po ju them sinqerisht, në javën e kaluar kam kërkuar që të fillojë një hetim pikërisht duke u bazuar në një shkresë që është marrë në kohën e fundit. Ata i përcjellin në mënyrë shumë profesionale ndeshjet, sidomos kur ka dyshime për kurdisje”, ka theksuar Kelmendi.
Akuza të rënda ka lëshuar edhe ish-portieri i shumë skuadrave kosovare, Granit Kolshi, që tani jeton në SHBA. Ai shumë vjet më parë kishte braktisur demonstrativisht një ndeshje që ishte e kurdisur. Më pas, FFK-ja kishte ndarë dënime për kurdisje të atij takimi.
“Unë mendoj që Drita, Prishtina dhe Llapi kanë bërë matematikë dhe Ballkani ka mbetur jashtë kësaj. Drita do ta ftojë titullin, Llapi Kupën, kurse Prishtina del në Evropë përmes vendit të dytë. 95 për qind këto do të jenë. Prishtina do të fitojë ndeshjen që do ta ketë në Llap. E ftoj Prokurorinë që t’i shikojë këto ndeshje”, ka thënë Kolshi, ndër të tjera, në “Sportin Total”.
Gazetarja sportive, Qëndresa Krelani, ka thënë se gjendja në futbollin kosovar tashmë është jashtë kontrollit.
Gjithë këto akuza, megjithatë, kanë kaluar në heshtje dhe pa përgjigje të organeve kompetente. FFK-ja të paktën për të hënën është mjaftuar me hapje të procedurës ndaj Ballkanit të Suharekës.