Futbollist kosovar, Milot Avdyli, i cili gjatë ditës u prezantua te klubi zviceran, Aarau, ndihet krenar që karrierën do ta vazhdojë në kategorinë e dytë të futbollit helvetik.
Për KOHËN, Avdyli ka deklaruar nuk ka qenë e lehtë që t'i bind drejtuesit e Aaraut.
Ai është paraqitur në dy ndeshjet miqësore, ndaj Baselit dhe Young Boysit, të cilat kanë qenë vendimtare për të.
“Po ndihem shumë mirë dhe jam krenar që kam kaluar te Aarau. Meritat më të mëdha i kanë familja, të gjithë që më mbështetën gjatë rrugëtimit deri këtu, e sidomos menaxheri im, Leonard Berisha. Niveli i lojës është më i lartë dhe nuk e kam pasur të lehtë, por me paraqitjet e mija në ndeshjet miqësore dhe në stërvitje i kam bindur drejtuesit e klubit”, tha Avdyli, i cili i ka synimet e qarta që përmes Aaraut të kalojë në ndonjë klub më të madh evropian.
Futbollisti i Kosovës U19, nuk harron të falënderon edhe shkollën e futbollit ku është rritur si lojtar si dhe klubin i cili ia dha mundësi të kalojë në Evropë.
“Së pari e kisha falënderuar shkollën e futbollit ‘Kurda’ me trajner Mehmet Kurda, prej të cilit kam mësuar shumë, dhe mendoj se është shkolla më e mirë në Kosovë. Atje kam kaluar momente shumë të mira dhe jam rritur si lojtar. Nuk do të harrojë kurrë kohën që kam kaluar te Kurda. Pastaj falënderoj klubin e Trepçës ‘89 për mundësitë që mi kanë ofruar që të luajë në Superligë”, përfundoi Avdyli.
Me Aaraun, 18-vjeçari ka nënshkruar kontratë deri në verën e vitit 2023.