Skuadra e drejtuar nga Stefano Pioli, Milani, që është kampion në fuqi i elitës së futbollit të Italisë, e ka nisur me fitore mbrojtjen e titullit.
Të shtunën në kuadër të xhiros së parë të Serie A të Italisë, Milani fitoi në shtëpi kundër Udineses, 4:2, me rikthim të rezultatit.
Rodrigo Becao i befasoi vendësit në minutën e dytë pasi shënoi për epërsinë e Udineses.
Gëzimi i vizitorëve zgjati vetëm nëntë minuta, pasi Theo Hernandez ishte i saktë nga penalltia e fituar.
Katër minuta më vonë shënoi edhe sulmuesi kroat, Ante Rebiq.
Në minutën e tretë të kohës shtesë në pjesën e parë, Udinese u kthye në lojë me golin e Adam Masinas.
Me të nisur pjesa e dytë, Brahim Diaz i dha avantazhin 3:2 “rossonerëve”, kurse lojën thuajse të përkryer, kroati Rebiq e kompletoi në minutën e 68-të me golin e dytë personal në ndeshje.
Në këtë ndeshje debutoi edhe 21-vjeçari Charles De Ketelaere, që vlerësohet shumë në Itali.
Me këtë fitore, Milani shkon në 17 ndeshje pa disfatë në ligë.