Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Milani me udhëtim të vështirë tek Atalanta

Skuadra e Milanit do ta ketë një ndeshje të vështirë në kuadër të xhiros së 15-t të Serie A. Do të jetë mysafir i Atalantas në ndeshjen që do të luhet të shtunën prej orës 18:00. Milani është në një seri prej dy fitoreve, por Atalanta vlerësohet kundërshtar tejet i fortë kur luan në shtëpi. Në tabelë, Milani është më lartë se Atalanta, por ekipi nga Bergamo synon fitoren në këtë përballje pas serisë prej tri humbjeve e një barazimi në katër ndeshjet e fundit. Atalanta në këtë ndeshje do të jetë pa kapitenin e Shqipërisë, Berat Gjimshiti që u lëndua në ndeshjen e fundit. Aktualisht, Atalanta ka 20 pikë dhe zë vendin e tetë në tabelë, ndërsa Milani është i treti me 29 pikë të mbledhura.

Të shtunën mbrëma luan edhe Interi, por që do të ketë punë dukshëm më të lehtë se Milani. Prej orës 20:45, Interi luan në shtëpi me Udinesen. Interi ka kohë që nuk di për humbje dhe ndaj Udineses futet pas fitores bindëse ndaj Napolit, që e mposhti 3:0. Interi ka 35 pikë të tubuara, 13 më shumë se Udinese që në pesë ndeshjet e fundit ka marrë vetëm gjashtë pikë.

Të dielën, Torino luan në udhëtim te Frosinone, ndeshje kjo që nis në orën 12:30. Për Torinon, titullar do të jetë Mërgim Vojvoda, për të cilin kjo ndeshje do të jetë e veçantë. Ndaj Frosinones, Vojvoda do ta regjistrojë paraqitjen jubilare, të 100-tën në kampionatin italian me fanellën e Torinos.

Të dielën mbrëma, Roma e pret Fiorentinën në ndeshjen që nis në orën 20:45 dhe e mbyll këtë xhiro në Serie A. Të dyja skuadrat po luftojnë për pjesën e epërme të tabelës dhe në këtë ndeshje do të futen për fitore. Roma zë vendin e katërt në tabelë me 24 pikë, një më shumë se Fiorantina që renditet e gjashta.