Milani kërkon së paku 35 milionë euro për të shitur mesfushorin brazilian, Lucas Paqueta, në afatin kalimtar të janarit, njofton “Corriere dello Sport” të dielën.
Paqueta është duke u kërkuar nga Paris Saint-Germaini. Braziliani sërish ka qenë në stol të dielën në fitoren 3:2 të Milanit në Serie A ndaj Udineses, transmeton Koha Ditore. Ai ka humbur vendin e tij, veçanërisht pasi trajneri Stefano Pioli ka vendosur të kthehet në formacion 4-4-2.
Paris Saint-Germaini po insiston për Paquetan. Drejtori i Parisit, Leonardo, është njeriu që e solli Paquetan te Milani.
Sipas “Corriere dello Sport”, Milani kërkon së paku 35 milionë euro, në mënyrë që të kthejë shumicën prej 38.5 milionë eurove plus bonuse sa ka paguar për ta transferuar nga Flamengo një vit më parë.