Prishtinë, 2 maj – Me xhudistët elitarë që po vazhdojnë përgatitjet për Botëror dhe për Lojëra Olimpike, Kosova me garues të rinj kërkoi podiumin në Zagreb. Ndonëse pa këshillat e trajnerit Driton Kuka nga këndi, xhudistët e rinj kanë fituar dy medalje, duke dëshmuar se Kosova ka të ardhmen në xhudo edhe pas gjeneratës së Majlindës, Norës, Distrisë, Lorianës e Akilit. Të gjithë këta kërkojnë medalje në Botëror e në Lojërat Olimpike, ndërsa në Zagreb në garën “European Open” medaljet u fituan nga Laura Fazliu e Shpati Zekaj.
Laura garoi të shtunën në kategorinë deri 63 kilogramë. Javë më parë në Evropianin për seniorë ajo u rendit e pesta. Dhe në “European Open” ishte bartëse e parë në kategori. Në gjysmëfinale Laurën e ndali një xhudiste vendëse dhe ajo zuri vend në podium si fituese e medaljes së bronztë.
Të shtunën Kosova kishte edhe dy vende të shtata me Erza Muminoviqin (52 kg) dhe me Flaka Loxhën (57 kg). Ndërkohë Fationa Kasapit nuk i mjaftoi një fitore për plasman në kategorinë deri 57 kg.
Të dielën pos Shpati Zekajt garoi edhe Arbër Kullashi në kategorinë deri 81 kilogramë. Ai u ndal në luftën e parë.
Zekaj, 21-vjeçar, në finale u dominua nga ukrainasi Anton Savytskiy. Por deri në finale ka shfaqur vlera. Zekaj nuk kishte garuar që nga viti 2019. Vjet ka pasur më pak gara, ndërsa para Evropianit për juniorë ai kishte telashe me koronavirus.
Laura Fazliu (20) dhe Zekaj kanë pasur suksese në kategori të reja e tani kanë nisur edhe te seniorët. Gara në Zagreb ka mbledhur 471 xhudistë nga 32 vende. Ndonëse kanë munguar elitarët, një pjesë e pjesëmarrësve ishin të nivelit të lartë. Për xhudistët e rinj kosovarë ishte garë e mirëseardhur.
Trajneri Kuka ka konfirmuar për KOHËN se në ekipin që ishte në Zagreb llogarit për ciklin kualifikuese për “Parisi 2024”. Laura në fakt ka gjasa për të arritur normën edhe për Tokio, por jo shumë të mëdha. Ajo fitoi të bronztën, ndonëse nuk shfaqi gjithë potencialin.
“Laura nuk ishte në ditën më të mirë, por prapë mori medalje. Flaka Loxha ka punuar mirë, por nuk kishte fat. Erza sërish nuk ishte në formën e duhur. Diçka nuk po i ecën mirë. Fatjona nisi mirë, por një gabim i kushtoi. Ajo me qasje më serioze mund të ecë përpara. Kullashi nuk ishte në nivel. Performancë e dobët e tij dhe e papritur. Shpatit ndërkohë i erdhi medalja e parë për seniorë. Natyrisht potencial ka dhe llogaris seriozisht në të për ciklin e ri drejt Parisit”, ka thënë Driton Kuka.
“Të gjithë këta janë duke punuar mirë. Ka mungesë garash, por shenjat janë të mira. Kjo medalje i është dashur Shpatit më së shumti. Edhe medalja e Laurës është me rëndësi. Edhe për të është e para te të rriturat. Pas Evropianit forma e saj bie, por ajo megjithatë fitoi medalje”, ka shtuar Kuka.
Zekaj nuk ishte në mesin e bartësve dhe zuri shkallën e dytë të podiumit. Ai fitoi pikët e para për ranglistë botërore dhe olimpike.