Sport

Medaljet e LO “Paris 2024” me copa nga Kulla e Ajfellit

Një medalje olimpike e zbukuruar me një copë të Kullës së Ajfellit. Si ju duket kjo si shpërblim?

Në çdo medalje të artë, argjendtë dhe bronztë në Lojërat Olimpike dhe Paralimpike në Paris këtë verë, do të ketë një copë hekuri gjashtëkëndore, e lëmuar, e marrë nga monumenti ikonik, raporton “AP”.

Lojërat Olimpike në Paris nisin më 26 korrik dhe mbyllen më 11 gusht, ndërsa Lojërat Paralimpike nga 28 gusht deri më 8 shtator.

Organizatorët e Lojërave Olimpike të Parisit kanë zbuluar dizajnin revolucionar të enjten.

Simone Biles ka shtatë medalje nga dy edicionet e kaluara të Lojërave Olimpike dhe LeBron James ka dy medalje të arta dhe një të bronztë nga “Londra 2012”, “Pekin 2008” dhe “Athinë 2004”.

Por, asnjë nga sportistët që do të synojnë medalje në Paris këtë vit, nuk kanë parë një medalje kaq unike

Duke bërë histori në Lojërat Olimpike, medalistët në Paris do të marrin një copë të Francës dhe historisë së saj në shtëpi.

Kulla e Ajfellit, e gjatë 330 metra është e bërë nga 18 mijë e 38 copë hekuri. Por, gjithashtu u zgjat pak. E ndërtuar për Panairin Botëror në vitin 1889 – për të festuar 100 vjetorin e Revolucionit Francez – kulla e inxhinerit Gustave Eiffel ishte paraparë të qëndronte vetëm për 20 vjet.

Por, vazhdon të qëndrojë – falë disa renovimeve kohë pas kohe dhe kujdesit konstant.

Kulla 135-vjeçare “kishte parë” dy edicione të kaluara të Lojërave Olimpike në Paris – atyre në vitin 1900 dhe 1924.

Copat e hekurit që gjenden në mes të medaljeve olimpike peshojnë 18 gramë secila.

Ato janë marrë nga Kulla e Ajfellit gjatë renovimeve dhe janë mbajtur në vend të sigurt, ka thënë Joachim Roncin, kreu për dizajn në Komitetin Organizativ të Lojërave Olimpike në Paris.

“Koncepti erdhi pas disa diskutimeve. Ne e kuptuam se është vetëm një simbol i njohur nëpër botë, që është Kulla e Ajfellit. I kemi thënë vetes, ‘Çfarë nëse kontaktojmë kompaninë operuese të Kullës së Ajfellit për të parë nëse është e mundur ta përfshijmë ndonjë copë të Kullës së Ajfellit në këto medalje?” – tha Roncin.