Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Më shumë se “vetëm një lojë futbolli” derisa Kosova synon skenën botërore

Është vetëm futboll, thonë disa, por për Kosovën, një ndeshje që vlen shumë më shumë se aq. Ndeshja e së enjtes në Shkup jo vetëm që e sjell Kosovën një hap afër “Euro 2020”, që është shtyrë për vitin tjetër, por shihet edhe si një shans për kosovarët që të ngrihen dhe të njihen si shtet i pavarur, shkruan AFP. 

Kosova, që e shpalli Pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, do të takohet me fqinjët e Maqedonisë Veriore në gjysmëfinalen e “plejofit” të Ligës së Kombeve për Kampionatin Evropian, duke e ditur se fitorja në Shkup do t’i dërgonte ata edhe më afër vendit më të lartë të këtij sporti për herën e parë.

“Jetoj për ta parë flamurin tonë të ngrihet bashkë me 24 flamujt e ekipeve më të mira në Evropë”, ka thënë 23-vjeçari Besart Morina, student i psikologjisë.

Ndeshja është vlerësuar nëpër media si “më e rëndësishmja në historinë e Kosovës”, madje edhe përzgjedhësi, 69-vjeçari Bernard Challandes, e sheh shfaqjen në Shkup si “jo vetëm një lojë futbolli”.

“Jemi në një shtet të ri si Kosova dhe ekipi i futbollit është shumë i rëndësishëm për njerëzit”, ka thënë në një konferencë për shtyp përzgjedhësi i lindur në Zvicër.

Edhe Kosova shpreson për një fillim të ri, me fitore e paraqitje bindëse Sport Kosova shpreson për një fillim të ri, me fitore e paraqitje bindëse

Skuadra e refugjatëve

Sportet janë arenë e shpeshtë për tensione me Serbinë. Plagët janë të thella pas luftës së hidhur mes dy shteteve që nisi në shkurt të vitit 1998 dhe përfundoi në qershor të vitit 1999. Serbët tentuan ta bllokojnë pranimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA në vitin 2016, por dështimi i tyre e bën Kosovën si skuadrën më të re në kualifikime.

Fakti që asnjë nga 24 lojtarët e përzgjedhur për ndeshje nuk luajnë në ligën vendore ka të bëjë me të kaluarën e dhunshme të Kosovës – pjesa më e madhe e skuadrës janë pasardhës të refugjatëve shqiptarë që ikën nga regjimi i dhunshëm i të fortit serb, Slobodan Milosheviq, gjatë viteve ‘90. Shumë lojtarë të lindur pas konfliktit të përgjakshëm nisën karrierat e tyre nga Suedia deri në Zvicër, por ishin të hapur të luajnë për ngjyrat “verdhë e blu”. Disa nga ta janë të mirë mjaftueshëm për të luajtur në topligat e Evropës. Kapiteni Amir Rrahmani është pjesë e skuadrës së Napolit, derisa Samir Ujkani dhe Mërgim Vojvoda të dy luajnë për Torinon. Një tjetër në Serie A është Vedat Muriqi i Lazios. Te tjerët luajnë në Ligue 1 të Francës, në Eredivise holandeze apo Bundesligën gjermane.

“Shumë lojtarë kanë kontrata të mira, por ata asnjëherë nuk duhet t’i harrojnë rrënjët e tyre dhe se çfarë do të thotë të luash me fanellën e Kosovës”, ka thënë Challandes.

Edhe Kosova e gatshme ta ndjekë ëndrrën për kualifikim në Evropian Sport Kosova e gatshme ta ndjekë ëndrrën për kualifikim në Evropian

Të rinjtë e Evropianit kanë pasur rezultate jo të mira në kualifikimet për Kupën e Botës 2018, duke shënuar vetëm tre gola dhe arkëtuar vetëm një pikë – një barazim 1:1 në Finlandë – në dhjetë ndeshje. Pavarësisht se u cilësuan si autsajderë në kualifikimet e Evropianit, Kosova doli të jetë zbulimi më i madh. Ata rreshtuan një seri prej 15 ndeshjeve pa humbje, përfshirë edhe miqësoret, para se të mposhteshin nga Anglia 5:3 në shtator të vitit 2019. Por, përfunduan në vendin e tretë në grupin e tyre, para Bullgarisë dhe Malit të Zi.

“Challandesi ka sjellë qëndrueshmëri. Ai i bashkoi ata me disiplinë dhe vetëbesim”, ka thënë Eroll Salihu, sekretar i përgjithshëm në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK).