Real Madridi ia zgjati kontratën Luka Modriqit edhe për një vit të hënën, duke mbajtur të paprekur mesfushën që ndihmoi klubin të fitonte titullin e 14-të të Evropës në sezonin 2021/22, si dhe titullin e kampionit në La Liga. Kroati 36-vjeçar rinovoi kontratën me Realin deri në qershor të vitit të ardhshëm dhe sezonin e ri do të luajë së bashku me Toni Kroosin e Casemiron në repartin e mesfushës, treshe kjo që e ndihmoi ekipin spanjoll të fitonte pesë trofe të Ligës së Kampionëve në nëntë edicionet e fundit.
“Jam shumë i lumtur të njoftoj se do të vazhdoj të luaj për klubin më të mirë në botë”, shkroi Modriq në rrjetet sociale Twitter dhe Instagram të mërkurën. “Kam përmbushur një ëndërr për 10 sezonet e fundit dhe mbetem me të njëjtin emocion dhe dëshirë që nga dita e parë”.
Duke pozuar para 14 trofeve evropianë të fituar nga Real Madridi, Modriq mbante në dorë një fanellë klubi me emrin e tij dhe numrin 2023. Modriqi do të luajë sezonin e të 11-të me fanellën e Real Madridit, ekip të cilit iu bashkua në vitin 2012 nga skuadra e Tottenhamit. Ai ndihmoi Real Madridin të fitonte 20 trofe në të të gjitha garat, duke përfshirë pesë në Ligën e Kampionëve dhe tre të tjerë në kampionatin e Spanjës. Detajet financiare për kontratën e re të Modriqit nuk janë bërë të ditura as një njoftimin e shkurtër të Realit. Kontrata e tij aktuale do të skadonte në fund të këtij muaji. Real Madridi po e mban Modriqin në ekip, por tashmë po kërkon të rifreskojë mesfushën e tij, pasi Kroos është 32 vjeç dhe Casemiro është 30-vjeçar. Sezonin e kaluar Real Madridi nënshkroi me 19-vjeçarin Eduardo Camavinga nga Rennesi, dhe tani është afër transferimit të 22-vjeçarit Aurelien Tchouameni nga Monaco. Në fakt, është raportuar se Reali tashmë ka arritur marrëveshje me Monacon për Tchouamenin, e cila do të zyrtarizohet brenda këtij muaji. Për transferimin e francezit Reali është pajtuar të paguajë 100 milionë euro dëmshpërblim. Camavinga luajti shpesh këtë sezon, ashtu sikurse edhe 23-vjeçari Federico Valverde, i cili është pjesë e ekipit të parë të Realit që nga viti 2018.
Në 44 paraqitje në të gjitha garat, Camavinga kontribuoi me dy gola e po aq asistime. Real Madridi kurseu para në afatin e fundit kalimtar dhe pritet të përforcojë edhe repartin e sulmit gjatë kësaj vere pasi nuk arriti ta siguronte Kylian Mbappen si lojtar të lirë. Në fakt, sulmuesi francez preferoi të qëndronte te Paris Saint-Germaini duke e rinovuar kontratën deri në verën e vitit 2025. Gareth Bale dhe Francisco Isco nuk do të qëndrojnë me klubin spanjoll sezonin e ardhshëm dhe ata do të largohen në fund të këtij muaji kur edhe u skadojnë kontratat. Ndërsa nga klubi pritet të largohet edhe Marco Asensio.
Për të forcuar repartin e mbrojtjes, Real Madridi së fundmi siguroi shërbimet e qendërmbrojtësit Antoniio Ruediger. Reprezentuesi i Gjermanisë iu bashkua si lojtar i lirë, pasi i skadon kontrata me skuadrën e Chelseat. Reali kishte shtuar ish-mbrojtësin qendror të Bayern Muenchenit, austriakun David Alaba, sezonin e kaluar me të njëjtën formulë. Prej këtij reparti te Reali do të largohet mbrojtësi i krahut të majtë, veterani Marcelo. Braziliani ishte kapiten i Realit.