Sport

Me fitore prizrenasit befasuan edhe veten, tani kërkojnë gjysmëfinalen

Skuadra e Bashkimit është vetëm një fitore larg për të bërë befasi në garat e plejofit të Superligës së Kosovës në basketboll.

Pas fitores në ndeshjen e parë çerekfinale të plejofit ndaj Golden Eagle Yllit, Bashkimi po synon triumfin edhe në duelin e dytë për ta eliminuar skuadrën nga Suhareka në start të garës shtesë. Në duelin e parë, të luajtur të dielën mbrëma në palestrën “13 Qershori” në Suharekë, Bashkimi shënoi fitore të befasishme me shifrat 94:79, pas vazhdimit prej pesë minutave. Koha e rregullt përfundoi pa fitues – 75:75.

Ndeshja e dytë zhvillohet të martën prej orës 20:15 në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren. Bashkimit i duhet ta fitojë këtë ndeshje për t’u kualifikuar në gjysmëfinale derisa në rast të humbjes atëherë seria do të barazohet në 1:1 dhe gjysmëfinalisti do të përcaktohet në duelin e tretë që do të luhej në Suharekë. Skuadra që shënon fitore në këtë seri çerekfinale në gjysmëfinale do të takohet me skuadrën e Rahovecit, nënkampionin e pjesës së rregullt.

Trajneri i Bashkimit, Franko Sterle, të hënën për KOHËN ka thënë se nuk ka besuar që ekipi i tij mund ta fitojë ndeshjen e parë ndaj Yllit, ekip që triumfoi në turneun e Ligës Unike. Kroati Sterle ka pranuar se Ylli ishte dhe mbetet favorit, por ka shtuar se beson në lojtarët e tij, që në ndeshjen e parë nuk u dorëzuan për asnjë moment.

“Nuk mund të them se kam pritur fitore në ndeshjen e parë pasi do të ishte budallallëk prej anës sime po të thosha këtë, duke pasur parasysh se Ylli është një prej ekipeve më të mira dhe më të shtrenjta në Superligë. Megjithatë, ne ishim të përgatitur në mënyrën që të bëjmë luftë sportive dhe të kemi mundësinë që ta fitojmë ndeshjen”, është shprehur Sterle.

“Në fund doli të ishte ashtu dhe ne arritëm që të marrim fitoren, ndonëse nuk ishte aspak lehtë. Mirëpo, nuk u dorëzuam dhe luftuam deri në fund”.

Sterle thotë se Bashkimi është i gatshëm edhe për ndeshjen e dytë, ndonëse ka pranuar se do të jetë më vështirë sesa në të parën. Ai ka thënë se Ylli do të jetë më i motivuar se kurrë, duke e pasur parasysh se me humbje eventuale në Prizren do ta përfundonte edicionin në të cilin kishte synime shumë të mëdha. Megjithatë, Sterle ka thënë se Bashkimi edhe në këtë takim do të futet me këmbë në tokë dhe nuk do ta mbajë mendjen te fitorja e ndeshjes së parë.

“Sa i përket ndeshjes së dytë, ne duhet të qëndrojmë të përulur dhe të jemi gati si për duelin e parë. Ylli me siguri që do të jetë maksimalisht i motivuar dhe ne duhet t’i përgjigjemi cilësisë së tyre me luftë dhe lojë kolektive si në ndeshjen e parë”, është shprehur Sterle. “Nëse bëjmë këtë atëherë do të kemi mundësinë për ta fituar ndeshjen. E kur të vjen kjo mundësi, besoj se ekipi do të tregohet i disiplinuar taktikisht dhe do të mbahet deri në sekondën e fundit për të avancuar në gjysmëfinale”.

Gjatë pjesës së rregullt, Ylli ka pasur bilanc më të mirë përballë Bashkimit, ku në katër ndeshje të luajtura ka regjistruar tri fitore. Gjithashtu, edhe në tabelë ka përfunduar në pozitën e tretë me 45 pikë, gjashtë më shumë se Bashkimi që vetëm në xhiron e fundit e ka siguruar pjesëmarrjen në plejof nga vendi i gjashtë.

Fitorja e parë në serinë çerekfinale të plejofit është sinjal i fortë se Bashkimi nuk do të dorëzohet dhe se do të tentojë ta eliminojë Yllin pas vetëm dy ndeshjeve.

“Do të ishte fantastike të vazhdojmë tutje, por është e rëndësishme që të tregojmë se jemi të gatshëm edhe për këtë duel, si dhe për plejof në përgjithësi”, u shpreh Sterle.

Të martën, por prej orës 17:00, do të zhvillohet edhe çerekfinalja tjetër, ajo ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Pejës. Kjo ndeshje luhet në Prishtinë, kurse skuadra e Pejës është në avantazh pas fitores së thellë që e arriti të dielën në palestrën “Karagaçi”. Peja triumfoi me shifrat 106:77 dhe nëse e fiton edhe ndeshjen e dytë, atëherë do të kualifikohet në gjysmëfinale, ku do të përballet me kampionin e pjesës së rregullt, Ponte Prizrenin.

Në gjysmëfinale, skuadrat që shënojnë nga tri fitore do të shkojnë në finale. Edhe kampioni përcaktohet pas tri dueleve të fituara.

E martë

S. Prishtina – Peja (17:00)

Bashkimi – G.E. Ylli (20:15)