Manchester City bëri një shfaqje në natën hapëse të raundit eliminator të Ligës së Kampionëve, duke fituar 5:0 dhe duke i kujtuar pjesës tjetër të Evropës se është favorit për të ngritur trofeun në Shën Petersburg në muajin maj. Dueli i Cityt në kuadër të 1/8 së finales të Championsit ndaj Sportingut, përfundoi pas 30-të minutave lojë kur Phil Foden shënoi golin e tretë për kampionin në fuqi të Anglisë.
Riyad Mahrez e Bernardo Silva kishin gjetur tashmë golin përpara se arbitri ta përfundonte pjesën e parë dhe City shkoi në pushim me rezultatin 4:0. Silva për këta 45 minuta shënoi dy gola përkundër që tërë kohën vërshëllehej nga tifozët e Sportingut për shkak se më herët ka bërë karrierë te Benfica. City u bë ekipi i parë që shënoi katër gola në pjesën e parë në një ndeshje të Ligës së Kampionëve. Kur Raheem Sterling shënoi për rezultatin 5:0 me një gol që e vendosi atë në top-10 golashënuesit më të mirë të Cityt të të gjitha kohërave, kishte akoma më shumë se gjysmë ore lojë për t’u luajtur. Stimulimi i vetëm për Sportingun përpara ndeshjes së kthimit që luhet pas tre javësh në Manchester është të përpiqet ta shmangë humbjen e përgjithshme 12:1 që pësoi ndaj Bayern Muenchenit herën e fundit që ata arritën në fazën e nokautit në vitin 2009.
“Sportingu është një ekip fantastik, kampion i Portugalisë, por unë jam shumë i kënaqur me atë që tregoi ekipi ime sepse ne bëjmë një hap të madh drejt kualifikimit në raundin tjetër. Është vetëm një lojë me një rezultat fantastik. Kemi edhe një ndeshje për të qenë në çerekfinale dhe besoj se do të jemi gati të shkojmë larg në Champions me këtë paraqitje”.
Në udhëtimin e fundit te Sportingu në vitin 2012, City humbi 1:0 në 1/16 e Ligës së Evropës, por ekipi anglez tani ka një fytyrë krejtësisht tjetër. Skuadra e Guardiolas gjatë tërë ndeshjes ishte sulmuese dhe dominoi plotësisht përballë Sportingut të pafuqishëm. Pasi sezonin e shkuar humbi në finale nga Chelsea, City këtë sezon po synon ta fitojë trofeun e Championsit.
“Ne duhet të shënojmë gola për t’i fituar ndeshjet dhe secilit duel i qasemi me këtë mentalitet. Natyrisht, që këtë sezon duam të luftojmë për të gjithë trofetë. E trofeu i Ligës së Kampionëve është njëri prej tyre që e synojmë. Ende është herët të flitet për ta fituar, por mendoj se jemi në rrugë të mbarë”, ka thënë Bernardo Silva, të cilin Guardiola e quajtur lojtar të jashtëzakonshëm.
Edhe
Reali i pamëshirshëm shfaq dobësitë e shumta të Manchester Cityt
Detyra e Cityt është që tani të vazhdojë me këtë ritëm edhe në gjashtë ndeshje tjera për ta fituar Championsin. Në vitin 2020, City u eliminua në çerekfinale, ndërsa sezonin e shkuar pësoi në finale me rezultatin minimal 1:0 nga skuadra e Chelseat. Mirëpo, në dy sezonet e fundit, Guardiola ka pasur probleme me lëndimet e lojtarëve, telash që këtë edicion nuk e ka. Mbi të gjitha, Guardiola është i lumtur që ndaj Sportingut ekipi i tij nuk pranoi gol.
Me këtë triumf, City nuk di për humbje në 13 ndeshjet e fundit, ku ka regjistruar 12 fitore në të gjitha garat. Guardiola nuk e ka fituar Championsin prej vitit 2011 kur ishte trajner i Barcelonas, ndërsa City po e kërkon këtë sukses për herë të parë në histori të klubit. Po ashtu, City është favorit për ta mbrojtur edhe titullin e kampionit në Premier League. Prinë në tabelë me 63 pikë, nëntë më pak se Liverpooli që zë vendin e dytë dhe ka një ndeshje më pak të zhvilluar.