Kylian Mbappe do të jetë në qendër të vëmendjes në duelin që Paris Saint-Germaini do ta luajë në udhëtim te Lille, të dielën nga ora 20:45.
Kjo do të jetë ndeshje e xhiros së tretë të Ligue 1.
Veprimet e Mbappes në ndeshjen e kaluar janë analizuar dhe janë kritikuar shumë. Ishte vetëm ndeshja e tij e parë e sezonit.
Pasi mungoi në dy ndeshjet hapëse, në Superkupë për shkak të suspendimit dhe ndeshjen hapëse në ligë për shkak të lëndimit, francezi u kthye dhe shënoi në fitoren 5:2 kundër Montpellierit.
Ai e humbi një penallti, të cilin ia ndali portieri kundërshtar, dhe më pas provoi sërish, por pa sukses, t’ia merrte Neymarit topin që ta gjuante edhe një penallti tjetër.
Mbappe e zhvilloi takimin e parë prejse u konfirmua se do të mbetet në skuadër, duke refuzuar Real Madridin.
Megjithatë, ai së fundmi po shfaqet një figurë e pakënaqur dhe e izoluar.
Madje janë ngritur dyshime në Francë nëse Mbappe, Neymar dhe Lionel Messi mund të shkëlqejnë sërish së bashku.
Sezonin e kaluar Mbappe shkëlqeu te PSG-ja duke shënuar 39 gola në të gjitha garat, derisa Neymari dhe Messi nuk e patën shkëlqimin e dikurshëm.
Dy futbollistët nga Amerika e Jugut janë rikthyer fuqishëm në këtë edicion. Braziliani në veçanti ka shpërthyer duke shënuar pesë gola në tri ndeshje.
Por Mbappe, që nuk dukej i lumtur në fundjavën që shkoi, ka gjetur mbështetje te trajneri i ri Christophe Galtier, i cili ka insistuar se ai nuk është në formën më të mirë fizike.
Ndeshja e së dielës do ta kthejë Galtierin në Lille, klub tek i cili fitoi titullin në vitin 2021, para se të largohej më pas te Nice.
Pjesë e Lille në Francë është edhe Edon Zhegrova, por nuk dihet nëse ai do të luajë apo jo.
Futbollisti për t’u shikuar në fundjavë është Alexis Sanchez, i cili debutoi në ligën franceze vikendin e kaluar në barazimin e Marseilleit kundër Brestit, 1:1.
33-vjeçari synon vazhdimin e formës së mirë kundër Nantesit në stadiumin “Velodrome”. Takimi Marseille-Nantes luhet të shtunën nga ora 21:00.