Është bërë hapja solemne e turneut të parë të Karatesë “Prishtina Open 2018”, i cili ka mbledhur rreth 500 garues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mal i Zi, në të gjitha kategoritë duke filluar nga grup mosha 7 vjeçare deri te seniorët.
Kryetari i Klubit dhe kryetrajneri aktual, Ismail Fazliu, tha se rrugëtimi i Klubit të Karatesë është i gjatë, deri sa u shpreh i bindur se ky është vetëm fillimi, duke shtuar se turnetë madhështore, si ky i sivjetmi, do të vazhdojnë edhe viteve tjera.
Ajo që e bënë edhe më madhështor këtë turnir, Fazliu thotë të jetë pjesëmarrja e klubeve të vendeve tjera, përkundër faktit se ka qenë edhe Kampionati Ballkanik.
“Ne do të bëjmë përpjekje që edhe viteve tjera ta bëjmë turneun edhe më madhështor por, madhështinë e madhe këtij turneu ia keni dhënë ju, në veçanti klubet të cilat edhe pse ka qenë Kampionati Ballkanik, kanë ardhur dhe na kanë respektuar”, tha ai, raporton Kosovapress.
Ai ka përkujtuar edhe dëshmorët e këtij klubi për të cilat tha se dhanë kontribut të paçmueshëm që Klubi i Karatesë Prishtina të zhvillojë aktivitetet e veta. Teksa shtoi se edhe para luftës Klubi i Karatesë Prishtina ka arritur që të ketë mijëra nxënës, duke ushtuar nën krismat e automatikëve.
Edhe
Klubi i karatesë që përfshin të gjitha komunitetet
Përfaqësuesi i klubeve të Maqedonisë, Alim Hajredini, ka uruar që ky aktivitet të ketë rrugë të mbarë, derisa e vlerësoi si një nga realizimet më cilësore deri më tani.
Sipas tij, karateja kosovare përkundër sfidave që kishte, po vazhdon rrugën e suksesit.
“Me plot meritë, me plot mund, e di që ‘Klubi i Karatesë Prishtina’ ka kaluar një periudhë shumë të vështirë, por me ardhjen e kryesisë së re, karateja kosovare po vazhdon rrugën e suksesit. Unë kam pasur fatin të jem një nga pionierët e këtij klubi”, u shpreh Hajredini.
Për karateisten e vogël 8 vjeçare, Riga Dresha nga Prishtina, turneu ndërkombëtar “Prishtina Open 2018” ka një rëndësi të jashtëzakonshme, pasi që i ka mundësuar asaj të njihet edhe me karateistë të vendeve fqinje.
“Unë hera e parë që po marr pjesë në gara ndërkombëtare në Prishtinë. Kam njohur shumë klube tjera, jam shoqëruar me shumë shokë e shoqe. Kam kaluar shumë mirë dhe më ka pëlqyer shumë karateja”, u shpreh ajo.
Për karateistin 9 vjeçar, Yll Gashi, i cili ushtron qe një vit, sukseset veçse kanë filluar.
“Kam marrë pjesë në gara. Kam kaluar shumë mirë dhe kam marrë medalje”, tregoi ai.
Edhe
9-vjeçari prishtinas me medalje të artë në turneun për karate
Bordi i Karatesë të Klubit Prishtina dhe Këshilli Organizativ i këtij turneu, ka ndarë çmime për themeluesin e Klubit të Karatesë “Prishtina”, Ekrem Tarakun, kryetarin e Federatës së Karatesë së Kosovës, Ismet Krasniqi, si dhe trajnerin Alim Hajredini, si shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre të paçmuar në zhvillimin e karatesë në Kosovë.
Ndërsa mirënjohje janë ndarë edhe për kontributdhënësit tjerë të cilët në çfarëdo mënyre kanë bërë që karateja të jetë në rrugën e duhur të zhvillimit. Kurse garat do të vazhdojnë përgjatë tërë ditës.