Në Federatën e Futbollit të Maqedonisë (FFM) urojnë të kenë fat në shortin e edicionit të tretë të Ligës së Kombeve të UEFA-s, që do të tërhiqet të enjten prej orës 18:00. Maqedonia e Veriut është në vazon e dytë, ndërsa Kosova është një prej kundërshtarëve të mundshëm që mund ta ketë në grup. Por, te shteti fqinj shpresojnë të mos e kenë në të njëjtin grup Kosovën. Zëdhënësi i FFM-së, Faton Zylbehari, nuk ka dhënë shumë shpjegime për dëshirën që t’i shmangen Kosovës në short. Por, ka lënë të kuptohet se te Maqedonia e Veriut nuk e duan një përballje tjetër emocionale. Te Maqedonia e Veriut ftohen rregullisht gjashtë futbollistë shqiptarë, ndërsa është paraparë që ky numër mund të rritet në të ardhmen.
“Shortin për edicionin e ri të Ligës së Kombeve e presim me qetësi, pa ndonjë preferencë të theksuar. Ndoshta gjëja e vetme që do të kisha dashur të shmanget është ballafaqimi eventual me Kosovën. Normal nga vazoja e 4 më mirë do të ishte të kemi rival Gjibraltarin ose Ishujt Faroe, sesa fituesit e dueleve Kazakistan-Moldavi dhe Qipro-Estoni. Është short, gjithmonë me paqartësi dhe sigurisht se edhe fati është i mirëseardhur”, ka thënë Zylbehari të mërkurën për KOHËN.
Në vazon e dytë janë edhe Greqia, Bjellorusia dhe Luksemburgu. Kosova është në vazon e tretë. Lituania, Gjeorgjia dhe Azerbajxhani janë përfaqësueset e tjera të kësaj vazoje, me të cilat Kosova nuk do të jetë në një grup. Ndërkohë, vazoja e katërt është ende e hapur. Kazakistani përballet me Moldavinë, ndërsa Qiproja me Estoninë, në plejautin e edicionit të kaluar. Fituesit e këtyre ndeshjeve mbesin në Ligën C, ndërsa humbësit bien në Ligën D. Gjibraltari dhe Ishujt Faroe janë përfaqësueset e tjera të vazos së katërt të Ligës C. Maqedonia nëpërmjet plejofit të Ligës së Kombeve siguroi Evropianin, që u mbajt verën e këtij viti. Maqedonia e Veriut u përball me Kosovën në gjysmëfinalen e plejofit të Ligës së Kombeve, ndeshje që e fitoi 2:1 në Shkup. Ishte historike për Maqedoninë paraqitja në “Euro 2020”, ndërsa është edhe në plejofin për kualifikim në Botërorin e vitit të ardhshëm.
“Liga e Kombeve është interesante nëse e shikojmë në aspekt të benefiteve që mund dalin prej saj. Maqedonia nga Liga D kapi Evropianin dhe ky është një shans unik. Në anën tjetër, kur fiton grupin, siç ishte rasti ynë, ngjitesh një Ligë më lart, ku kundërshtarët janë më cilësorë dhe më e vështirë bëhet rruga për të shpresuar plejofin. Gjithsesi, është sportive të kërkohet gjithmonë më e mira në aspekt të rezultatit dhe Përfaqësuesja e Maqedonisë tashmë ka dëshmuar se rezultatet nuk janë të rastit dhe se mund të bëjmë gjëra pozitive edhe në eliminatoret për Kupën e Botës, ku zumë vendin e dytë dhe jemi në balotazh për kualifikim në ‘Katari 2022’”, është shprehur Zylbehari.
Në garën e re të Konfederatës Evropiane të Futbollit ndarja e përfaqësueseve në liga bëhet në bazë të renditjes së përgjithshme të edicionit paraprak të Ligës së Kombeve.
Në Ligën A garojnë 16 përfaqësueset më të suksesshme evropiane, që do të ndahen në katër grupe. Në Ligën B janë përfaqësueset e ranguara prej pozitës së 17-të e deri në pozitën e 32-të. Edhe këto 16 përfaqësuese garojnë në katër grupe. 16 përfaqësuese e katër grupe i ka edhe Liga C e Ligës së Kombeve. Kosova është pjesë e kësaj lige. Ndërkohë, në Ligën D, përkatësisht në rangun e katërt, janë shtatë përfaqësuese, që do të ndahen në dy grupe. Njëri grup do t’i ketë katër përfaqësuese e njëri tri. Fituesi i grupit në Ligën C do të promovohet në Ligën B për edicionin 2024/25 të Ligës së Kombeve. Ndërsa, nëse Kosova eventualisht mbetet e fundit në grup, do të luajë në plejaut për të shmangur rënien në Ligën D. Ndeshjet e Ligës së Kombeve luhen në qershor dhe shtator të vitit të ardhshëm. Katër ndeshje janë në qershor dhe dy të tjera në muajin shtator.