Fundjava në Premier League do të dhurojë dy ndeshje ku të parët në tabelë luajnë ndaj skuadrave që janë pjesën e poshtme, e që synim e kanë shmangien e rënies nga liga.
Lideri dhe kampioni në fuqi, Manchester City, do të udhëtojë te skuadra ku bën karrierë reprezentuesi i Kosovës, Milot Rashica, Norwichi, ndërsa Liverpooli e viziton Burnleyn.
Manchester City me lehtësi fitoi 2:0 kundër Brentfordit të mërkurën. Ishte fitorja e 12-të në 13 ndeshjet e fundit, përfshirë edhe një barazim.
Norwichi në Premier League po kalon formë të mirë në tri ndeshjet e fundit. Ka seri prej dy fitoreve e një barazimi.
Ndërkohë, Burnley ka barazuar në ndeshjet në shtëpi kundër Watfordit dhe Manchester Unitedit, por vendi i dytë, Liverpooli, që ka formacionin e plotë pas përfundimit të Kupës së Afrikës, pritet të largohet nga “Turf Moor” me pikët e plota.
Manchester Unitedi nuk arriti ta mposhtë Burnleyn gjatë javës.
Kryendeshja e xhiros së 25-të do të ishte ajo ndërmjet Chelseat dhe Arsenalit. Megjithatë, klubet londineze nuk do të luajnë në këtë fundjavë, për shkak se Chelsea është i angazhuar në finale të Kupës së Botës për Klube.
“Blutë e Londrës” të shtunën në orën 17:30 do të luajnë në finale kundër skuadrës Palmeiras të Brazilit. Chelsea është ekipi i vetëm evropian që është mposhtur në finale të Kupës së Botës për Klube që prej vitit 2006.