Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Low: Akuzat e Ozilit për racizëm janë ekzagjeruar

Përzgjedhësi i Gjermanisë, Joachim Low ka insistuar se akuzat e Mesut Ozilit për racizëm në përfaqësuesen gjermane janë ekzagjeruar dhe se lojtari ka refuzuar tentimet e trajnerit për të biseduar me të pas fotografisë me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan.

Kampioni botëror i vitit 2014 u poshtëruar në Botërorin e mbajtur sivjet në Rusi pasi nuk kaloi as grupet.

Ozili njoftoi pensionimin nga përfaqësuesja menjëherë pas kthimit nga Rusia pasi ishte kritikuar për pozën përkrah Erdoganit në muajin maj.

30-vjeçari, pjesë e ekipit që triumfoi në vitin 2014, ka thënë se ishte përballur me racizëm dhe mos respekt shkaku i prejardhjes së tij turke.

Low të mërkurën ka thënë se ka dështuar të kontaktojë me mesfushorin e Arsenalit dhe se për pensionimin e Ozilit ishte njoftuar nga këshilltari i lojtarit.

“Lojtari nuk më ka telefonuar. Në të kaluarën lojtarët më njoftonin për pensionimin [nga përfaqësuesja]”, ka thënë Low.

Low ka thënë se pas njoftimit të këshilltarit, kishte telefonuar disa herë lojtarin, por nuk kishte marrë përgjigje.

“Mesuti vendosi për një rrugë tjetër. Vazhdimisht i kam shkruar dhe i kam telefonuar, por kjo nuk ishte e mundur. Më duhet ta pranoj këtë”, ka shtuar trajneri gjerman që ka mohuar akuzat për racizëm të shprehura nga Ozili.

“Qëllimi i vetëm ishte të përgatisja ekipin më të mirë për Botëror. Kjo çështje na kushtoi shumë energji. Nuk është arsyetim për peformancën tonë. Kjo nuk është arsyeja [e dështimit]”, ka thënë Low.

“Akuzat e tij për racizëm janë ekzagjeruar. Brenda ekipit tim nuk ishte asnjë shenjë racizmi. E kam nënvlerësuar këtë rast”, ka thënë veç të tjerash ai.

Artikuj të ngjashëm