Sport

Lopetegui, trajneri më i dobët i Realit nga pesë të fundit

Julen Lopetegui

Julen Lopetegui u shkarkua nga pozita e kryetrajnerit te Real Madridi të hënën, një ditë pas humbjes 5 me 1 nga Barcelona në El Clasico.

Pas vetëm 14 ndeshjeve me klubin madrilen, ai ka fituar vetëm 42.86 për qind të ndeshjeve. Kjo është përqindja më e ulët ndër pesë trajnerët e fundit të klubit. Reali është i nënti në tabelën e La Ligës me katër humbje në pesë ndeshjet e fundit në ligë.

Ai e mori detyrën më 12 qershor dhe u largua sot më 29 tetor.

Kjo është një histori e shkurtër e rezultateve të katër trajnerëve të fundit të Realit para ardhjes së Julen Lopeteguit.

Zinedine Zidane

Zidane e mori detyrën e kryetrajnerit në janar të vitit 2016 dhe udhëhoqi skuadrën në 149 ndeshje, ku humbi vetëm 16 prej tyre. Ai pati përqindje të fitoreve prej 69.8. Ai fitoi tre tituj të Ligës së Kampionëve, një titull të La Ligës, dy Superkupa të UEFA-s, dy Kupa të Botës për Klube dhe Superkupën spanjolle.

Rafael Benitez

Trajneri aktual i Newcastlet ishte trajner i Realit për vetëm 25 ndeshje, ku fitoi 17 dhe humbi vetëm tri. Pavarësisht statistikave, Benitezi u mposht 4 me 0 nga Barcelona dhe klubi u suspendua nga Kupa e Mbretit për shkak të inkuadrimit të një lojtari, që s’kishte të drejtë loje. Ai e udhëhoqi Realin nga 3 qershori i vitit 2015 deri më 4 janar 2016.

Carlo Ancelotti

Trajneri italian ka përqindjen më të lartë të fitoreve me Realin në dy sezone. Ai fitoi 74.79 për qind të ndeshjeve. Nga 25 qershori i vitit 2013 deri më 25 maj 2015, Ancelotti fitoi Ligën e Kampionëve, Superkupën e UEFA-s, Kupën e Mbretit dhe një Kupë të Botës për Klube.

Jose Mourinho

Mourinho ishte trajneri me periudhën më të gjatë te Reali ndër pesë të fundit. Ai pati 178 ndeshje, me 71.91 për qind fitore. Për tre vjet, portugezi fitoi titullin e La Ligës, Kupën e Mbretit dhe Superkupën e Spanjës. Ai udhëhoqi Realin nga 31 maji i vitit 2010 deri më 1 qershor 2013.