Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Loja e Zvicrës varet nga Xhaka

Përfaqësuesja e Zvicrës nuk po funksionon pa kapitenin Granit Xhaka në fushë, dhe dëshmia më e mirë për këtë ishte ndeshja e fundit me Belgjikën. Një gjë të tillë e ka pranuar edhe përzgjedhësi i Zvicrës, Vladimir Petkoviq, që ka thënë se nuk po i pëlqen aspak fakti që ekipi po varet prej një futbollisti.

Pas zëvendësimit të Xhakës në miqësoren e së mërkurës mbrëma ndaj Belgjikës, Zvicrës i munguan organizimi, idetë dhe kontrollimi i lojës. Xhaka ishte titullar në këtë ndeshje dhe u aktivizua vetëm gjatë pjesëlojës së parë, ku Zvicra ishte në epërsi prej një goli. Në pjesëlojën e dytë, në mungesë të Xhakës në fushë, Zvicra pranoi dy gola dhe e humbi ndeshjen nga Belgjika me shifrat 2:1.

Petkoviq ka thënë se ndeshjen e humbi pas lëvizjes që bëri në pushimin midis pjesëlojëve. Petkoviq bëri katër zëvendësime, përfshirë këtu edhe kapitenin Xhaka, të cilin dëshironte ta ruante për dy ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve. Zvicra të shtunën luan ndaj Spanjës në Basel, kurse të martën tjetër e pret Ukrainën në Luzern.

Shiritin e kapitenit në pjesëlojën e dytë e mori Xherdan Shaqiri. Pasi Xhaka u zëvendësua, Zvicrës i mungonin kompaktësia, idetë dhe humbi edhe rregulli së bashku me kontrollin e lojës. Zviceranëve u mungonte dirigjenti i tyre – Xhaka, raporton “20min.ch”.

“Ndeshjen e humbëm edhe për shkak të lëvizjeve dhe eksperimenteve që i bëra”, është shprehur Petkoviq. “Ne e dimë që Graniti është shumë i rëndësishëm për këtë ekip, por nuk duhet të ndodhë që një lojtar ta bëjë një skuadër të varur”.

Duket se Petkoviq nuk ka alternativë për Xhakën, i cili nuk ka konkurrencë te Zvicra. Qëndrimi dhe karakteri i tij në fushë janë shembullor. Mesfushorët e tjerë, si Remo Freuler, Edimilson Fernandes apo Djibril Sow nuk janë askund afër Xhakës, përkundër që janë të talentuar. Asnjëri prej tyre nuk ka cilësitë e liderit si Xhaka. Me një fjalë, Xhaka është shefi i ekipit prej të cilit te Zvicra orientohen dhe varen.

Edhe Xhaka duhej ta gjuante penalltinë e tretë, por pse vendosi për të parën? Botërori 2026 2 j. më parë Xhaka duhej ta gjuante penalltinë e tretë, por pse vendosi për të parën?

“Graniti është një lider, jo vetëm në fushë, por edhe kur merr vendime jashtë fushës. Ai na vendos ritmin. Por do të ketë edhe momente në të ardhmen kur ai nuk do të jetë në fushë, atëherë të gjithë duhet të marrin përgjegjësinë dhe të kontrollojnë lojën më mirë. Sigurisht, Graniti është shumë i rëndësishëm për këtë ekip”, është shprehur Petkoviq.

Miqësorja me Belgjikën nuk është e vetmja që e ka dëshmuar një gjë të tillë për Xhakën, i cili debutoi në vitin 2011 dhe ka 85 paraqitje e 12 gola të shënuar. Zvicra një gjë të tillë e përjetoi edhe kundër Katarit në Lugano në vitin 2018. Petkoviq pas përfundimit të pjesëlojës së parë e zëvendësoi Xhakën, kurse në pjesëlojën e dytë Zvicra pranoi gol dhe e humbi ndeshjen me rezultatin 1:0. Në mars të vitit të shkuar, Zvicra ishte në epërsi të thellë ndaj Danimarkës me rezultatin 3:0. Xhaka orkestroi lojën sulmuese, drejtoi punën mbrojtëse dhe vendosi ritmin. Mirëpo kur kapiteni u zëvendësua në minutën e 79-të, danezët u ngritën dhe arritën të barazojnë në ndeshjen kualifikuese për “Euro 2020”. Në miqësoren kundër Kroacisë një muaj më parë, Xhaka luajti një pjesë të jashtëzakonshme dhe u zëvendësua nga Remo Freuler gjatë pushimit, kur rezultati ishte 1:1. Me zëvendësimin e Xhakës, Zvicra humbi shumë cilësi dhe në fund pësoi disfatë 2:1.

Admir Mehmedi shënoi golin për Zvicrën të mërkurën mbrëma.