Sport

Llapi po bëhet me “fushën më të mirë në Kosovë”

Skuadra e Llapit tash e disa javë është larguar nga stadiumi “Zahir Pajaziti”. Arena e futbollit në Podujevë do të jetë jashtë funksionit edhe për një kohë të pacaktuar.

Që nga muaji i kaluar aty kanë filluar punimet për rregullimin e fushës. Punët janë në fazën finale dhe deri në fund të javës së ardhshme pritet edhe mbjellja e barit natyral.

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, që njëherësh është edhe investitor në klub, është i bindur që shumë shpejt stadiumi “Zahir Pajaziti” do të jetë më moderni në Kosovë.

“Punimet në stadium janë duke shkuar shumë mirë. Besoj që deri në fund të javës që vjen do të mbillet bari dhe tani vetëm do ta presim që të rritet dhe të kalojnë disa ditë për të qenë fusha e gatshme për lojë. Llapi do të bëhet me stadium modern, që nuk e ka asnjë klub në Kosovë. Fusha e stadiumit ‘Zahir Pajaziti’ do të jetë më e mirë sesa e stadiumeve ‘Fadil Vokrri’, ‘Adem Jashari’ dhe e stadiumeve të tjera. Tapeti që po shtrohet është i njëjtë me atë në stadiumet e Fenerbahçes, Galatasarayt e Beshiktashit”, tha Batatina për KOHËN, të dielën.

“Stadiumi në Podujevë do të jetë i kategorisë së katërt që e kërkon UEFA, kurse fusha e kategorisë së parë”.

Batatina tregon se kthimi i fushës me bari artificial në fushë me bari natyral do të kushtojë 350 mijë euro.

“Në total, fusha e stadiumit ‘Zahir Pajaziti’ do të kushtojë 350 mijë euro. 50 për qind e këtyre investimeve janë të Federatës së Futbollit të Kosovës, kurse 50 për qind të tjera janë nga kryesia e Llapit. Jemi në pritje që FFK-ja të ndajë edhe një pjesë të mjeteve financiare. Kompania që po i kryen punët është e licencuar nga UEFA”, u shpreh trajneri i skuadrës llapjane.

Batatina shton se Llapi nuk do të ketë nevojë që të luajë si vendas diku tjetër as në garat evropiane. Sipas tij, stadiumi në Podujevë do të jetë sipas kritereve që kërkon UEFA. Llapi këtë verë ka debutuar në Evropë si fitues i Kupës.

“Nëse Llapi kualifikohet në garat evropianeve në edicionin tjetër, do të luajë si vendas në ‘Zahir Pajaziti’, pra nuk do të ketë nevojë që të luajë diku tjetër. Ne e kemi gati edhe projektin për ndriçim dhe besojmë që do ta kemi edhe ndihmën e shtetit në këtë drejtim, në mënyrë që ta bëjmë një stadium modern”, tha Batatina.

Shkaku i punimeve, Llapi nuk do të mund të luajë si vendas në “Zahir Pajaziti” për një kohë. Batatina konfirmon se gjashtë ose shtatë ndeshjet e para si vendas, Llapi do t’i luajë në Merdar.

“Gjashtë ose shtatë ndeshjet e para të këtij kampionati si vendas nuk do të mund t’i luajmë në stadiumin ‘Zahir Pajaziti’. Derisa stadiumi të jetë i gatshëm, si vendas do të luajmë në stadiumin e Merdarit. I kemi bërë të gjitha intervenimet dhe stadiumi në Merdar është licencuar nga organet e FFK-së. Llapi do të luajë si vendas aty, pasi stadiumi i plotëson kushtet që kërkohen”.

Këtë fakt ai e sheh si shumë pozitiv. Pohon se Llapi edhe në këtë edicion do ta synojë daljen në Evropë.

“Mendoj që do të jetë shumë pozitive që ndeshjet do t’i luajmë si vendas në Merdar. Është ndryshe kur luajmë para shikuesve tanë, është shumë më e lehtë. E kemi pasur si opsion edhe stadiumin ‘Fadil Vokrri’, por ia kemi dalë ta përgatisim stadiumin në Merdar dhe jam shumë i kënaqur për këtë. E kam një skuadër shumë të mirë. Nuk kam bërë shumë ndryshime. E kam ruajtur ekipin e vitit të kaluar dhe kam intervenuar në ato pozita ku kam pasur nevojë. Sigurisht synojmë sërish daljen në Evropë”, përfundoi Batatina.

Llapi do të luajë të martën kundër Prishtinës në ndeshjen e Superkupës së Kosovës. Dueli do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”, prej orës 20:45.

Llapi sezonin e kaluar e fitoi Kupën e Kosovës për herë të parë në histori të klubit.

Për herë të parë Llapi u paraqit edhe në garat evropiane. Ekipi nga Podujeva luajti në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës, ku u përball me Shkupin.

Llapjanët e humbën ndeshjen e parë 2:0 në Shkup, kurse barazuan 1:1 në kryeqytet, për t’u eliminuar në start të Ligës së Konferencës.