Sport

Llapi akuzon FFK-në se i dha 38 mijë euro premi Prishtinës për fitore, sqarohet Batatina

Llapi ka akuzuar FFK-në dhe kreun e saj, Agim Ademin se i ka dhënë një premi prej 38 mijë eurosh klubit të futbollit Prishtina që ta mposhtë Llapin në derbin e sotëm në kuadër të Superligës.

“Sot nuk e kemi mposhtur vetëm Prishtinën, por edhe Federatën e Futbollit të Kosovës e cila i ka dhënë premi 38000 euro për ta mposhtur Llapin. Të premten, një ditë para ndeshjes presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi i pagoi FC Prishtinës premi në vlerë 38000€. Kjo nuk ndodh askund në botë, kjo është për hetuesi”, ka shkruar klubi i Llapit në Facebook.

E këto akuza i ka shpjeguar në një prononcim për Koha.net drejtori ekzekutiv-sportiv i Llapit, Tahir Batatina.

Ai thotë se këto informacione kanë rrjedhë nga klubi i Prishtinës, e një gjë e tillë e shqetëson shumë Batatinën, i cili thotë se janë duke marrë informacione edhe për qarkullimin bankar.

“Ne jemi duke marrë informacione, do ta kërkojmë qarkullimin bankar dhe këto informata kanë rrjedhë nga klubi i Prishtinës, jo nga ne. Jemi tejet të shqetësuar duke e ditur se investimet milionëshe të bëra në klub dhe largimit të 5 donatorëve nga skuadra. Pasi m’u bashkuan nuk kërkova asnjëherë mbështetje as financiare, por as mbështetje tjera. Vetëm kërkova korrektësi, drejtësi dhe transparencë. Pas këtyre informatave jemi shumë të brengosur si ka mundësi që një klub të mbështetet ndërsa klubet tjera jo”, ka thënë Batatina për Koha.net.

Batatina më tutje ka shtuar se të gjithë e dinë se janë skuadra me financat dhe shpenzimet më të larta në Superligë dhe askush nuk i ofroi mbështetje.

Ai thotë se nuk dëshiron ta komentojë shumë rastin më lartë, por kërkon sqarime për të.

“Sakrifikova dhe do të sakrifikoj për transparencë dhe korrektësi sepse e ardhmja e futbollit mbrohet vetëm duke qenë të sinqertë, të drejtë dhe transparentë. Nuk dua ta komentoj shumë, por dua sqarim pse pikërisht para ndeshjes time derbi lirohen mjetet ndaj rivalit të Llapit. Nuk merr Llapi përgjegjësi se kujt i lëshon mjete Federata, sepse nuk jemi kompetent por jemi të tronditur pse para ndeshjes ky fuzionim, nëse është e vërtetë jemi të shqetësuar duke e ditur që ‘6 vite’ financoj në futboll dhe asnjëherë nuk kërkova dhe nuk kam dashur që skuadra e Llapi të ketë mbështetje në asnjë mënyrë”, ka thënë drejtori ekzekutiv-sportiv i Llapit.

Sipas tij, këtë rast e vërteton raporti bankar, e këtë do ta kërkojë në Kuvendin e parë të punës.

“Unë së bashku me kryetarin e klubit dhe familjen që financojmë jemi shumë të brengosur nëse ka ndodh ky rast, por këtë e vërteton raporti i bankës dhe banka qendrore. Këtë do ta kërkojmë në Kuvendin e parë të punës. Nëse nuk ka qenë e vërtetë ne prapë do të kërkojmë falje publike, por pa e parë raportin e bankës ne nuk do t’i besojmë më askujt”, ka deklaruar Batatina.

Batatina ka theksuar se Llapi do të jetë klub që do të kërkojë korrektësi, drejtësi dhe transparent për të gjithë barabartë, pa marrë parasysh nga cila qytezë apo qytet vjen klubi sepse, “ne po e ndajmë kafshatën e fëmijëve tanë dhe këtë nuk do ta toleroj nga askush sepse e fitojmë me mund dhe djersë dhe jo me gjëra të tjera. Qe gjashtë vite pa ndërprerë kontribuojmë për të ardhmen e fëmijëve dhe gjeneratave të reja, në zhvillimin e rinisë dhe futbollit në vendin tonë”.

Koha.net ka provuar të kontaktojë edhe me kreun e FFK-së, Agim Ademi si dhe me kreun e klubit të Prishtinës, Remzi Ejupi, por kanë qenë të pa qasshëm.

Ndryshe, Llapi sot ka fituar derbin ndaj Prishtinës me rezultat prej 1 me 0 me golin e shënuar nga Ahmed Januzi, duke shkrirë diferencën në vetëm dy pikë ndaj Prishtinës.