Skuadra e Liverpoolit ka refuzuar ta lirojë sulmuesin Mohamed Salah për ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Botëror për Egjiptin, shkaku i kufizimeve të koronavirusit, ka bërë të ditur Federata e Futbollit të Egjiptit të hënën.
Egjipti është në “listën e kuqe” të Britanisë, kështu që Salahut do t’i duhej të karantinohej pasi të kthehej nga Kairo dhe do t’i mungonte Liverpoolit në dy ndeshje kampionale. Egjipti do të luajë me Angolën në Kairo më 1 shtator kurse katër ditë më vonë, do të përballet me Gabonin në Franceville.
Federata egjiptiane ka bërë të ditur se është në kontakte me FIFA-n, për t’u siguruar që t’i ketë të gjithë lojtarët për ndeshjet kualifikuese, si dhe ka kërkuar që ata mos të obligohen që të karantinohen kur të kthehen në klubet e tyre. Kjo është hera e dytë që Liverpooli nuk po e liron Salahun, të cilin nuk e la të jetë pjesë e Egjiptit as në Lojërat Olimpike të Tokios.