Robert Lewandowski ose Zlatan Ibrahimoviqi do të humbasin mundësinë për të luajtur në kampionatin botëror “Katari 2022”, kur Polonia dhe Suedia të përballen në finalen e plejofit për kualifikim në ngjarjen e madhe, të martën mbrëma. Fituesi i ndeshjes, që luhet në Chorzow, do të jetë në shortin e së premtes për fazën e grupeve të Kupës së Botës.
Mund të jetë shansi i fundit për të luajtur në një Kupë Botërore për sulmuesin suedez Ibrahimoviq, i cili do të jetë 41 vjeç, si dhe për Lewandowskin e Polonisë, i cili do të jetë 34-vjeçar kur të fillojë turneu i Katarit në nëntor të këtij viti.
“Një Botëror pa Zlatanin nuk është Botëror”, tha Ibrahimoviq.
Veterani ka duruar një sezon me shumë lëndime dhe për herë të fundit ka luajtur 90 minuta për klubin e tij, Milanin, në janar. Përzgjedhësi i Suedisë, Janne Andersson, tha të hënën se Ibrahimoviq “është një armë për ne” si zëvendësues, por “nuk mund të luajë të gjithë ndeshjen”.
Në anën tjetër, Lewandowski i Bayernit është në formë të shkëlqyer. Ka shënuar 50 gola për klubin dhe përfaqësuesen këtë edicion. Për dallim prej Ibras, Lewa do t’i prijë Polonisë në këtë takim. Kapiteni i Polonisë është stërvitur me pjesën tjetër të ekipit pavarësisht se pësoi një goditje në gju javën e shkuar. Në duelin e plejofit do të ketë një element të kërkimit të hakmarrjes për Poloninë nikoqire, e cila humbi 3:2 nga Suedia në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve të “Euro 2020”, vitin e kaluar. Goli i fitores i Suedisë nga Viktor Claesson në minutat shtesë në Shën Petersburg e eliminoi Poloninë në fazën e grupeve.
“Ne fituam verën e kaluar, kështu që Polonia pa dyshim se do të jetë e uritur për hakmarrje”, tha Emil Forsberg. “Do të ishte mirë t’i jepnim një shuplakë tjetër në fytyrë”.
Edhe
Ibrahimoviq është i dëshpëruar, por vazhdon me Suedinë
Suedia është e pakënaqur që Polonia u kualifikua automatikisht në finalen e plejofit, pasi UEFA e FIFA pezulluan Rusinë nga të gjitha garat ndërkombëtare për shkak të pushtimit të Ukrainës.
“Duhet të zbatohet parimi i të luajturit në të njëjtat kushte, pra të fitosh dy ndeshje për të arritur në finalet e Kupës së Botës”, tha sekretari i përgjithshëm i Federatës suedeze, Hakan Sjostrand.
Në të njëjtën natë që Polonia barazoi në miqësore ndaj Skocisë me Lewandowskiskin që nuk u aktivizua, Suedisë iu nevojiten vazhdimet për të mposhtur Çekinë 1:0 në gjysmëfinalen e plejofit. Robin Quaison shënoi golin e fitores për Suedinë në minutën e 110-të në Stokholm.