Legjenda e Leeds United, Norman Hunter ka vdekur në spital në moshën 76-vjeçare, pas infektimit me koronavirus, ka njoftuar BBC të premten.
Mbrojtësi i qendrës ishte lojtar kyç në epokën më të suksesshme të Leedsit. Ai ka fituar dy tituj të kampionit gjatë 14 vjetëve karrierë në ekipin e parë të Leedsit, ndërsa ishte pjesë e skuadrës së Anglisë që fitoi Botërorin e vitit 1996.
Hunter ishte shtrirë në spital më 10 prill pasi rezultati në testimin për koronavirus i doli pozitiv.
“Trashëgimia e tij nuk do të harrohet asnjëherë. Mendimet tona janë me familjen e Normanit dhe shokët e tij në këtë periudhë shumë të vështirë”, thuhet në një komunikatë të klubit anglez.
Hunter i ishte bashkuar Leedsit në moshën 15-vjeçare dhe ka luajtur 726 ndeshje në të gjitha garat për klubin. Është lojtari i katërt me më së shumti paraqitje për këtë klub.
Ishte pjesë vendimtare e ekipit të famshëm të Don Revie. Hunter fitoi titullin e parë në vitin 1969 ndërsa të dytin në vitin 1974. E ka ndihmuar skuadrën të fitoi ndaj Arsenalit në finale të League Cup në vitin 1968, ndërsa u kthye në Wembley në vitin 1972 për të dhënë kontributin në fitoren e re të Leedsit ndaj Arsenalit, në finale të FA Cup.