Sport

Legia pëson në kampionat, pret reagim ndaj Dritës

Legia e Varshavës të shtunën luajti ndeshje kampionale dhe humbi 3:1 në shtëpi nga Gornik Zabrze. Legia ka dy humbje e dy fitore dhe renditet në vend të gjashtë në kampionatin polak.

Legia ka bërë gabime të shumta në ndeshjen e së fundit dhe tani disponimi te kampioni polak nuk është i duhuri. Por, te Legia presin reagim në ndeshjen ndaj Dritës.

“Mënyra se si kemi luajtur thuajse gjatë gjithë kohës, nuk mjafton për të mposhtur asnjë kundërshtar, sidomos Gornikun. Jam i bindur se do të reagojmë shpejtë dhe ky ekip do të tregojë se sa i madh është. Ndeshja tjetër është shumë shpejtë dhe ne duhet të shfaqim fytyrë krejt tjetër”, ka thënë trajneri i Legias, Aleksandar Vukoviq. “Ndeshja e ardhshme është rasti i duhur për të filluar me ecurinë që unë e synoj. Nuk kemi zgjedhje tjetër, duhet të luajmë ndryshe ndaj Dritës. Ndeshja është gjithnjë mister, nuk mund të përcaktosh fituesin pa nisur takimi. Mendoj se të enjten dhe në ndeshjet e ardhshme do të tregojmë se sa vlejmë”.

Edhe mesfushori Valeriane Gvilia ka theksuar se frustrimi për startin e dobët do të motivojë skuadrën për ndeshjen e së enjtes.

“Frustrimi tani është shumë i madh dhe do të na motivojë për ndeshjen e së enjtes, që të kalojmë në rundin tjetër të Ligës së Evropës. Ne jemi Legia që kemi fituar titullin e kampionit dhe duhet ta dëshmojmë këtë në fushë”, ka thënë Gvilia.