Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Lazio – Roma, derbi i madh në Serie A

E gjithë vëmendja në xhiron e 12-të të kampionatit italian do të jetë në derbin e kryeqytetit, ku Lazio është vendas përballë Romës. Kjo ndeshje do të zhvillohet të dielën prej orës 18:00, ndërsa ka disa ditë që trajnerët e dy skuadrave kanë filluar tashmë luftën me fjalë.

Maurizio Sarri dhe Jose Mourinho, kanë thumbuar njëri-tjetrin para derbit të Romës, i cili është dueli më i rëndësishëm i edicionit për të dyja skuadrat. Aktualisht Roma është më lart në tabelë se Lazio, që xhiron e shkuar pësoi humbje nga Bologna. Roma zë vendin e 7-të në tabelë me 17 pikë, një më shumë se Lazio që renditet i dhjeti. Në tri përballjet e fundit mes vete, Lazio ka bilanc më të mirë, ku ka dy fitore karshi një disfate. Në këtë derbi, Lazio futet pas fitores në Champions ndaj Feyenoordit, ndërsa Roma pas humbjes që e pësoi nga Slavia e Pragës në kuadër të Ligës së Evropës.

Interi do të përpiqet ta mbajë kreun e tabelës edhe pas kësaj xhiroje pasi të dielën mbrëma e pret në shtëpi Frosinonen. Interi ka 28 pikë, 13 më shumë se Frosinone që ka treguar paraqitje të mira në xhirot e fundit. Arijon Ibrahimoviq, i cili xhiron e shkuar shënoi golin e parë në Serie A, pritet t’i prijë sulmit të Frosinones ndaj Interit.

Juventusi që është në seri prej katër fitoreve rresht në kampionat, e pret në shtëpi Cagliarin që po synon të largohet nga fundi i tabelës. Juventusi është i dyti me 26 pikë, ndërsa me Cagliarin përballet të shtunën prej orës 18:00.

Të shtunën, por prej orës 15:00, Milani luan në udhëtim te Lecce, ekip ku aktivizohet mesfushori Ylber Ramadani. Ndërkohë, të dielën prej orës 12:30, kampioni në fuqi, Napoli luan në shtëpi me skuadrën e Empolit.