Kur Claudia Riumallo Pineda zgjohet, asaj nuk i duhet shumë kohë për të ditur se ku është. Nga dritarja e dhomës së saj të gjumit, ajo mund të shohë stadiumin “Johan Cruyff” brenda qendrës stërvitore “Ciutat Esportiva” të Barcelonës, ku ëndërron që një ditë të luajë për ekipin e parë të femrave. Pineda është në rrugën e duhur për ta bërë këtë. 18-vjeçarja është një nga nëntë lojtaret që këtë sezon u bënë femrat e para që u regjistruan në “La Masia”, Akademinë e famshme të futbollit të Barçës që nxori lojtarë si Lionel Messi, Andres Iniesta dhe Xavi Hernandez. Që nga hapja e saj në vitin 1979 si një shtëpi e vjetër pranë stadiumit “Camp Nou”, “La Masia” nuk ka pasur kurrë banore femra.
Por, skuadra e femrave ka trokitur në derë për një kohë të gjatë, me ekipin Barcelona Femeni që fitoi Champions League, Liga Femenina dhe Copa de la Reina sezonin e kaluar.
“Këtë vit na e kanë dhënë ‘La Masian’, që është një dhuratë”, thotë Claudia, e cila për vite të tëra ishte e detyruar të udhëtonte një orë me makinë nga qyteti i saj Girona vetëm për të qenë në gjendje të stërvitej me vajza.
Pasi luajti për rivalin vendas Espanyolin, ajo tani përfaqëson Barcelonën B dhe pasditeve studion kiminë në universitet. Të tronditur nga kriza financiare dhe largimi i papritur i Messit, shumica e lajmeve të mira rreth klubit këto ditë vijnë nga skuadra e femrave. Krahas “tripletës” së fituar sezonin e kaluar, kapitenia e Barcelonës, Alexia Putellas, u zgjodh si lojtarja më i mirë i vitit nga UEFA dhe tani është nominuar, së bashku me katër bashkëlojtare të ekipit për “Topin e Artë” të femrave.
“Është një përgjegjësi e madhe, sepse ne jemi pioniere, por është gjithashtu mirë të dish që je një nga femrat e para që shkoi në ‘La Masia’, akademinë e famshme të Barcelonës”, thotë Laura Coronado, një portiere 18-vjeçare.
Edhe
Putellas realizoi ëndrrën duke fituar “Topin e Artë”
Fotografia e Coronados, si ajo e 105 të tjerëve në “La Masia”, e përhapur në pesë sportet profesionale të klubit, tani varet në recepsionin e kompleksit modern. Gavi, perla e fundit e ekipit të meshkujve, mbërriti kur ishte njëmbëdhjetë vjeç në “La Masia” dhe vazhdon të jetojë atje. Ish-banori është edhe 19-vjeçari Ansu Fati.
“Gjëja e mirë që kemi në këtë klub është se pasqyra është shumë e qartë”, shpjegon Markel Zubizarreta, drejtor sportiv i Barcelonës Femeni. “Thjesht duhet të shohim kah ekipi i meshkujve për të parë se çfarë duhet të synojmë”.
Në korridorin që shkon drejt dhomës së lojërave është një tjetër kujtesë: një mural në mur në nderim të ndeshjes mes Levantes dhe Barcelonës të luajtur më 25 nëntor 2012. Ishte një tjetër fitore që kontribuoi në fitimin e titullit të Barçës atë vit, por edhe një moment historik për “La Masian”, pasi Barcelona kishte 11 lojtarë vendas në fushë, për të mos përmendur trajnerin, të ndjerin Tito Vilanovan.
Në atë kohë ishte e vështirë të imagjinohej se si skuadra e femrave mund të gjente hapësirë në një klub ku ekipi i meshkujve ishte kaq dominues, por gjërat ndryshuan me kalimin e kohës. Në vitin 2020, në Spanjë kishte 77.400 femra të licencuara, 7.2 për qind e të gjithë futbollistëve të federuar, sipas statistikave të Ministrisë së Sporteve. Është ende një shifër e vogël, por një përmirësim i dukshëm nga viti 2011, kur ishin vetëm 36.200 femra, 4.3 për qind e totalit.
“Ka shumë gjëra që mungojnë ende, siç është profesionalizimi në Ligë”, thotë Coronado. “Ne e dimë se pagat nuk do të jenë të barabarta, por ne do të dëshironim të jetonim më rehat nga futbolli, dhe kjo është ajo për të cilën po luftojmë”.
Ministria e Sportit e Spanjës miratoi profesionalizimin e La Liga Femenina në qershor, por negociatat për ta përfunduar atë po rezultojnë të ndërlikuara. Si shumë nga brezi i saj, mbrojtësja e Barçës, Jana Fernandez filloi të luante me djem. Në moshën gjashtë vjeçe, ajo i bindi prindërit që ta linin të bashkohej me ekipin e saj lokal dhe, tani 19 vjeçare, ajo tashmë ka fituar “tripletën”. Por rruga nuk ka qenë e lehtë.
“Përpiqem t'u kujtoj vajzave që janë tani në ‘La Masia’ që të përfitojnë sa më shumë që të jetë e mundur, sepse do të kisha dashur të isha këtu”, shpjegon Fernandez.
Edhe
“Finalja kalon nëpër La Masia”, Barça sjell historinë e Messit dhe Yamalit
Sporti i femrave ka bërë një hap të madh vitet e fundit, por ka ende punë për të bërë.
“Ne duam të luftojmë për të marrë gjithnjë e më shumë për ato që luajnë tani”, thotë Fernandez. “Dhe për ato që do të vijnë akoma”