Sport

“Kur e ke Koliqin në portë, nuk mund të mposhtesh”

Ismet Munishi e ka përgëzuar portierin e Gjilanit, Enea Koliqin, për fitoren minimale të arritur të shtunën ndaj Feronikelit.

Trajneri Munishi theksoi se portieri Koliqi i ka meritat më të mëdha për pikët e plota të marra në kuadër të xhiros së 28-të në Superligën e Kosovës.

Në stadiumin e qytetit në Gjilan, Gjilani fitoi 1:0 ndaj ekipit nga Drenasi.

“Jam shumë i kënaqur me lojën dhe rezultatin. Kemi humbur raste në pjesën e parë. Luajtëm shpejtë dhe në shpejtësi e sipër bëmë gabime. Ndeshja mund të përfundohej kur ishte rasti i penalltisë, por më shumë më është dhimbsur lojtari, sesa penalltia e humbur. Por, kur e ke Koliqin në portë, është e vështirë të humbet loja”, tha Munishi. Golin për Gjilanin e shënoi Gerhard Progni në minutën e 20-të, ndërsa penalltinë e humbi Keita Razak që gjuajti mbi portë në pjesën e parë, pas golit të shënuar.

“Konkurrenca në ekip sjellë kualitetin. Besoj që do të jemi skuadër shumë e fortë. Më pëlqeu si luajti në pjesën e parë, ndërsa në të dytën skuadra tregoi karakter. Luajtëm mirë në sulm e në mbrojtje kur u desh të mbroheshim. Është dashur që të kemi më shumë pikë, keq që nuk jemi në objektiva”, përfundoi Munishi.