Gjermania, Portugalia, Franca, Spanja, Belgjika apo Anglia. Holanda apo Kroacia. Italia, Serbia apo Zvicra.
Shqipëria të shtunën prej orës 18:00 do t’i mësojë kundërshtarët e Kampionatit Evropian të futbollit “Gjermania 2024”.
Shorti i shumëpritur do të tërhiqet nga ora 18:00 në Hamburg, njërin prej qyteteve nikoqire të Evropianit të futbollit që mbahet prej 14 qershorit deri më 14 korrik të vitit të ardhshëm.
Shqipëria për herë të dytë do të paraqitet në Evropian. Debutoi në “Euro 2016”, ndërsa në shortin për atë kampionat ishte në vazon e katërt.
Tani është në vazon e dytë së bashku me Hungarinë, Turqinë, Rumaninë, Danimarkën dhe Austrinë. Pra këto përfaqësuese nuk do t’i ketë rivale verën e ardhshme në Gjermani. Në grup do të ketë një përfaqësuese nga vazoja e parë, një nga vazoja e tretë dhe një nga vazoja e katërt.
Shqipëria është në vazon e dytë pasi fitoi grupin kualifikues. Në Grupin E la prapa Çekinë, Poloninë, Moldavinë e Ishujt Faroe. Derisa Çekia është kualifikuar nga pozita e dytë në grup, Polonia kërkon biletën për Evropian përmes plejofit. Plejofi do të përcaktojë tri përfaqësueset e fundit të Evropianit.
Ndeshjet e plejofit zhvillohen në mars të vitit të ardhshëm, ndërsa në garë për tri bileta janë 12 përfaqësuese.
Në Grupin A të plejofit në gjysmëfinale takohen Uellsi me Finlandën dhe Polonia me Estoninë. Në Grupin B, Bosnjë-Hercegovina takohet me Ukrainën, ndërsa gjysmëfinalja tjetër është Izrael – Islandë. Në Grupin C gjysmëfinalet janë Gjeorgjia – Luksemburgu, Greqia – Kazakistani. Fituesit e gjysmëfinaleve takohen në finale, ndërsa fituesit e finaleve shkojnë në Evropian. Në plejof janë përfaqësueset më të mira të edicionit të kaluar të Ligës së Kombeve e që nuk janë kualifikuar në Evropian përmes kualifikimeve të rregullta.
Secila prej përfaqësueseve të vazos së parë do të ishte kundërshtare interesante për kuqezinjtë. Nga vazoja e tretë përfaqësueset më interesante janë ato të Kroacisë dhe Holandës. Në vazon e tretë janë edhe Skocia, Sllovenia, Sllovakia e Çekia.
Tri përfaqësueset që tashmë janë në vazon e katërt do të ishin kundërshtaret më interesante të Shqipërisë. Italia është kampione në fuqi dhe ka ndikim të madh në futbollin e Shqipërisë në përgjithësi. Zvicra në fushë udhëhiqet nga Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri. Ndeshja eventuale me Serbinë, që po ashtu është në vazon e katërt, do të ishte e rrezikut më të lartë të mundshëm dhe do të ngjallte interesim të jashtëzakonshëm.
Gjitha dilemat do të hiqen pas shortit. Sylvinho menjëherë mund të nisë me përgatitjen e ekipit për ngjarjen kryesore kontinentale.
“Nga vazoja e parë do të zgjedhja Gjermaninë. Gjermania ka një specifikë të veçantë, mund të hapim Evropianin, do të ishte një promovim për Shqipërinë në përgjithësi. Nga vazoja e tretë do të zgjedhja Slloveninë për të pasur një derbi me presidentin e UEFA-s, Çeferin. Nga vazoja e katërt prej këtyre që janë kualifikuar deri më tani, Serbia më duket pak më mirë sesa dy të tjerat. Pas Serbisë, Zvicrën pasi Italinë nuk do ta doja”, ka thënë ditë më parë presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i pyetur për preferencat e tij për short.
Në FSHF presin që Shqipëria të ketë përkrahje të madhe në Evropianin në Gjermani.
Në Federatën e Futbollit të Serbisë kanë theksuar se nuk e duan Shqipërinë në grup. Në vende të tjera Shqipëria mund të jetë rivale e preferuar nga vazoja e dytë.
Por kuqezinjtë, të trimëruar nga kualifikimet e suksesshme, do të kenë synime të mëdha në “Gjermania 2024”. Do të synojnë ta kalojnë grupin. Shumë do të varet nga shorti i së shtunës mbrëma.
Vazot e shortit për “Euro 2024”
Vazoja 1: Gjermania (nikoqire), Portugalia, Franca, Spanja, Belgjika, Anglia
Vazoja 2: Hungaria, Turqia, Rumania, Danimarka, Shqipëria, Austria
Vazoja 3: Holanda, Skocia, Kroacia, Sllovenia, Sllovakia, Çekia
Vazoja 4: Italia, Serbia, Zvicra, fituesi i plejofit A, fituesi i plejofit B, fituesi i plejofit C