Mirë se vini në botën e çuditshme të Kupës së Estonisë në futboll, ku skuadrat seniore, ekipet U-19 dhe ato amatore, përballen kokë më kokë. Disa nga skuadrat e përfshira në këtë kanë emra të ngjashëm me ekipet e lagjeve. Skuadrat me emrin Beer (Birra) dhe Eyjafjallajokull, të quajtura sipas vullkanit islandez që ndërpreu fluturimet nëpër Evropë në vitin 2010, kanë luajtur vitet e fundit në Kupën e Estonisë.
Midis 75 skuadrave që marrin pjesë këtë edicion janë Puhkus Mehhikos (Pushime në Meksikë), FC Kohvile (FC Kafja), Maardu Aliens dhe sigurisht Eston Villa dhe EstHam United me temë nga Premier League. Disa nga skuadrat e përfshira nuk janë mësuar me rregullin e pozitës jashtë loje, sepse Rahvaliiga, siç njihet Kupa e Estonisë - që përkthehet si Liga Popullore - nuk e përdor atë fare. Kjo u dëshmua edhe në disa prej rezultateve të sezonit të kaluar, si 32:0, 26:0, 24:0 dhe 21:0.
Rumori Calcio i nivelit të pestë menaxhohet nga anglezi Matt Dowling dhe mbrojtësi uellsian Michael Stacey, që është një mbështetës i skuadrës. Asnjëri nuk ka luajtur në ndonjë nivel të rëndësishëm në vendlindje. Të dy takuan partneret nga Estonia në Mbretërinë e Bashkuar dhe u transferuan në këtë vend përpara se të gjenin rrugën e tyre për në një “skuadër ndërkombëtare futbolli” të quajtur sipas “Rumori di Spogliatoio”, një blog i krijuar nga bashkëthemeluesi i klubit, Angelo Palmeri.
“Unë u frymëzova nga një tjetër skuadër emigrantësh e krijuar nga anglezët në Letoni – Riga United”, tha italiani Palmeri. “Vëllai im, gazetari Tancredi Palmeri luajti atje. Mendova se nuk kemi një ekip të tillë në Estoni”.
Ata filluan në Rahvaliiga, por u zhvendosën në ligat e rregullta - dhe fituan promovimin nga niveli i gjashtë sezonin e kaluar.
“Unë nuk do t'i sugjeroja armikut tim më të keq që të shikojë një ndeshje pa pozitë jashtë loje”, tha Palmeri.
Ekipi Rumori këtë sezon, në 1/16 e finales së kupës, u përball me skuadrën elitare Tallinna Kalev.
“Shumica prej nesh punuan nga mëngjesi deri disa orë para ndeshjes”, tha Dowling, i cili punon në mbështetjen e klientëve për një kompani.
Ata humbën me rezultatin 8:0 javën e shkuar. Stacey, i cili është një profesionist taksash, dhe shoku i tij nga Uellsi, Dean Scott luajtën të gjithë ndeshjen. Dowling ishte në stol me katër lojtarë në mes të një krize dëmtimi.
“Më pëlqeu vërtet dita”, tha Stacey 41-vjeçare, i cila po luante për herë të parë me një ekip të ligës së lartë. “Disa nga djemtë e tyre kanë shënuar edhe gola për Estoninë. Ishte bukur të krahasoje veten me lojtarë të tillë. Kupa e Estonisë është garë e veçantë”.
Ndërkohë, Dowling 31-vjeçar pranoi se shumica e skuadrave të ligave të ulëta dhe amatore eliminohen nga kupa qysh në raundet e para.
“Eliminimi është i sigurt dhe me rezultat të thellë, por është mirë të testosh veten”, shtoi ai.
Ish-mbrojtësi i Liverpoolit, Ragnar Klavan, është presidenti i Tallinna Kalevit, por për habinë më të madhe, ai luan për rivalët e ekipit të tij në ligën e parë, Paide Linnameeskond, fitues në fuqi i Kupës së Estonisë.
“Personalisht, i ofrova Klavanit mundësinë që të vinte të luante për Rumorin. Ne gjithmonë përpiqemi të nënshkruajmë me ish-profesionistë”, tha Palmieri.
Vitet e fundit ka pasur rezultate të thella në Kupën e Estonisë, veçanërisht në vitin 2015, kur FC Infonet triumfoi ndaj Virtsu Jalgpalliklubi 36:0. Sezonin e kaluar, Flora Tallinn mundi ekipin e saj U-19 me rezultatin 14:0. Tre vjet më parë, ata mposhtën 9:3 të rinjtë e tyre në U-21 në gjysmëfinale. Erik Sorga, i cili luajti për të dy skuadrat atë sezon në kampionat, shënoi shtatë gola. Kupa gjithashtu furnizon skuadrat e vogla me një mundësi në futbollin evropian. Disa fillojnë garat në Kupë në 1/32 e finales, me të tjerët - si Rumori këtë sezon – që u eliminua në 1/16 e finales. Në vitin 2014, një ekip nga niveli i tretë me emrin Santos (i quajtur sipas ekipit brazilian të Peles) nga Tartu, humbi finalen - dhe u kualifikua për Ligën e Evropës, sepse fituesi Levadia Tallinn ishte në Ligën e Kampionëve. Santosi humbi 13-1 nga Tromso në total, në ndeshjen e parë dhe të fundit evropiane.
“Gjithmonë duhet ëndërruar për të bërë gjëra të mëdha”, tha Palmeri për mundësinë që Rumori të luajë në Evropë. “Ne ëndërrojmë për këtë. Ne po përmirësohemi nga viti në vit. Ne u promovuam sezonin e kaluar dhe po bëjmë mirë këtë vit. Do të ishte diçka përrallore nëse një ekip i nivelit të pestë të Estonisë të shkonte në Evropë”.